“Luftë pa kthim kundër krimit të organizuar”, Gledis Nano mesazh qytetarëve: Duam një raport të ri me ju

0
283

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano i është drejtuar qytetarëve me një mesazh ku i ka kërkuar bashkëpunim për të luftuar krimin e organizuar. Nano shprehet se policia është angazhuar me të gjithë kapacitetin e saj njerëzor dhe logjistik për t’u përballur dhe për të goditur me vendosmëri krimin e organizuar dhe çdo dukuri, grupim apo ata individë që lidhen ose janë pjesë e integruar e krimit në përgjithësi. Luftën ndaj krimit, Nano e cilëson si luftë pa kompromis dhe pa kthim në mënyrë që të arrihet rezultati i dëshiruar.

Mesazhi i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë:

Të nderuar bashkëqytetarë,
Ju që në përditshmërinë tuaj, mundoheni me ndërgjegje dhe përgjegjësi qytetare të ndërtoni një jetesë të ndershme për veten dhe familjet tuaja.

Me anë të këtij mesazhi, dua t’ju shpreh falënderimin dhe nderimin më të lartë të gjithëve ju që mbeteni mbështetja dhe vlerësuesi më i drejtpërdrejtë i veprimtarisë së Policisë së Shtetit.

Policia e Shtetit është angazhuar me të gjithë kapacitetin e saj njerëzor dhe logjistik për t’u përballur dhe për të goditur me vendosmëri krimin e organizuar dhe çdo dukuri, grupim apo ata individë që lidhen ose janë pjesë e integruar e krimit në përgjithësi

Kjo përballje është luftë pa kthim e pa kompromis, për të arritur rezultatin që e presim bashkërisht: një jetë të denjë për të gjithë dhe ndaj të gjithëve.

Një shoqëri e çliruar nga çfarëdolloj paragjykimi apo kompleksiteti është ajo shoqëri që mbetet në çdo kohë e angazhuar përkrah organizatave ligjzbatuese dhe Policisë së Shtetit.

Nëse do të besojmë pa mëdyshje tek njëri-tjetri, ju sigurojmë pa asnjë hezitim, se rrugët e krimit do të jenë gjithmonë e më të rrezikuara, pavarësisht se krimi mundohet të gjejë shtigje, forma dhe mënyra më të sofistikuara për të mbijetuar.

Analizat e punës që zhvilluam në çdo qark të vendit, nuk kishin aspak për qëllim radhitjen e sukseseve dhe trumbetimin e tyre si triumfe ose propagandë deliruese nëpër media, por nxjerrjen në pah të mangësive, me qëllim ndreqjen e tyre, gjetjen e metodave më rezultative për të goditur krimin, me të gjithë fuqinë që na jep ligji, si edhe rikonceptimin e qasjes ndryshe dhe të një marrëdhënieje të re me qytetarët nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit.