Këtë të enjte, në ora 18:00, në “Elbasan Arena”, përballë njëra-tjetrës do të jenë Partizani dhe Tirana në një derbi të nxehtë dhe që të dyja skuadrat do ta luajnë për ta fituar.
Si “Demat e Kuq” ashtu edhe kampionët në fuqi vijnë në këtë përballje disi më ndryshe teksa kanë afruar në merkaton e dimrit disa futbollistë cilësorë, ku spikasin Murataj dhe Stenio Junior në njërin krah dhe Seferi e finlandezi Tim Väyrynen.
Do të jetë edhe njëherë tjetër një sfidë brenda sfidës ajo mes Ilir Dajës dhe Nevil Dedes dy shokëve shumë të mirë që do të sfidojnë njëri-tjetrin.
Derbi i parë i sezonit u mbyll në barazim pa gola, edhe për shkak të cilësisë së fushës në “Air Albania”, ndërsa sot në “Elbasan Arena” të gjithë shpresojnë që të jetë një ndeshje me gola dhe emocione.
Aktualisht Partizani renditet në vend të tretë në kuotën e 23 pikëve, 3 më pak se Teuta e vendit të dytë dhe 12 pikë larg Vllaznisë kryesuese. Ndërsa Tirana e sheh veten më poshtë, në vend të pestë, në kuotën e 20 pikëve.
Ndaj dhe sot fitorja është detyrim për të dyja ekipet.
Ora news