Luleshtrydhet e Çuditshme – Pse Ndodh Deformimi Dhe A Kanë Rrezik

0
187

Shpesh konsumatorët enden nëpër tregjet e frutave dhe perimeve për të blerë luleshtrydhe. Por prisni, ka diçka të çuditshme që ju tërheq syrin.

Shikoni luleshtrydhet e rregullta por me çmime të afishuara jo aq të lira dhe pranë tyre shihni luleshtrydhe të çuditshme që shiten me gjysmë apo edhe çerek çmimi.

A janë luleshtrydhe të mira apo të dëmshme? Pse luleshtrydhet janë të deformuara dhe çfarë duhet të dini për këtë?

Lexoni nga AgroWeb.org për të gjetur se çfarë shkakton luleshtrydhe të deformuara dhe nëse është e sigurt të mund t’i konsumoni këto luleshtrydhet në formë të pazakontë.

Para së gjithash, nëse ndeshni luleshtrydhet me pamje të çuditshme dhe të deformuara, pamja e tyre nuk do të thotë se janë të pangrënshme.

Aq e vërtetë është kjo sa mjaft konsumatorë i preferojnë pasi mendojnë se deformimi ka ardhur pasi tek luleshtrydhet nuk janë aplikuar kimikate dhe substanca të dëmshme që garantojnë bukurinë e pamjes së frutit në dëm të cilësisë të luleshtrydhes.

Por çfarë tregon deformimi i luleshtrydheve?

Ekzistojnë disa arsye për deformimin e disa prodhimeve të luleshtrydheve në bazë të këshillave të ekspertëve agronomë

Pjalmim i dobët i luleve të luleshtrydheve. Arsyeja e parë është më e mundshmja nga të tëra dhe ka të bëjë me mungesën e pjalmimit të plotë të bimës. Kjo mund të dallohet kundrejt llojeve të tjera të deformimit nga frutat që kanë madhësi të ndryshueshme të farës.

Farat e mëdha janë të pjalmuara ndërsa farërat e vogla nuk arrijnë ta kryejnë procesin.

Kjo ndodh më shpesh në pranverë kur moti i ftohtë dhe mbulesat që aplikohen në formën e mbulimit të rreshtit nga ngricat nuk lejojnë aktivitetin e plotë dhe funksional të bletëve për pjalmimin e luleve.

Dëmtimi nga ngricat. Krahas mungesës së pjalmimeve ka edhe një arsye tjetër madhore për luleshtrydhet e dëmtuara, që është si pasojë e ngricave të forta si të dimrit që lamë pas.

Nëse luleshtrydhet nuk kanë pasur mbrojtjen e duhur nga ngricat, kjo direkt mund të shkaktojë deformime.

Mangësi në vlerat e tokës ushqyese. Ashtu si të gjitha bimët, luleshtrydhet kanë nevojë për ushqyes. Boroni është një nga mineralet ushqyese në tokë, që i duhet patjetër luleshtrydheve për të prodhuar fruta të mira.

Mungesa e boronit shkaktohet nga kullimi i tepërt i tokave. Kur minerali i boronit nuk është i pranishëm në sasitë e duhura, shenjat më të dukshmet janë frutat e deformuar, gjethet asimetrike dhe rrënjë ë dëmtuara./AgroWeb.org