Lulëzim vjeshtak; Ja lulet, perimet dhe erëzat e përshtatshme për t’u mbjellë këtë periudhë në ballkon e kopësht

0
295

NGA ELONA JAÇELLARI/ FOTOGRAFIA: ARMAND HABAZAJ

Kemi fatin të jetojmë në një vend ku dielli nuk na mungon edhe në stinën më të ftohtë të vitit. Si rrjedhojë, lulëzimi i ballkoneve, verandave dhe kopshteve nuk është një sfidë e pamundur. Megjithatë, nuk e di pse me mbarimin e verës, duket sikur shumica e kopshteve përgatiten për të filluar letargjinë. Nëse nuk ju ka shkuar në mendje ta shfrytëzoni natyrën bujare për stinën që po vjen, është koha të përvishni mëngët. Filloni nga puna, në mënyrë që gjatë netëve të dimrit, të mos ëndërroni për pranverën dhe ditët e saj të bollëkut në kopshtin tuaj. Living ka udhëtuar në një fermë në Baldushk, aty ku të gjitha produktet e kopshtit: perime, zarzavate e më gjerë, rriten në mënyrë tërësisht natyrale. Nga kujdestari i saj, Albert Karaj, i cili është specialist në hortikulturë, kemi “vjedhur” disa këshilla për t’i ndarë me ju. Kështu, mund të rijetësoni kopshtin tuaj në vjeshtë. “Me përfundimin e verës, mbarojnë ciklin e tyre edhe një pjesë e mirë e zarzavateve, perimeve dhe luleve, por vjeshta ka pjesën e saj të lulëzimit”, tregon specialist i hortikulturës. Ai thotë se, tani është koha ideale për të përsëritur disa mbjellje në kopsht, por edhe për të kultivuar bimë të reja, të cilat kanë vjeshtën kohën optimal të zhvillimit.

ÇFARË MUND TË MBILLNI NË VJESHTË?

Për sa u takon kushteve klimatike, specialistët e hortikulturës thonë se vjeshta ka temperatura të njëjta me pranverën dhe në këtë pikëpamje, bima e gjen veten komode në harlisjen e saj. Nëse gjatë pranverës dhe verës nuk ju kanë munguar sallatat e ndryshme, Karaj ju siguron që mund t’i keni ato edhe në vjeshtë, derisa të nisë pragu i ngricave, kur shumica e bimëve nuk iu bën dot rezistencë temperaturave nën zero.

Nëse nuk keni ruajtur farë, shkoni në një farmaci bujqësore dhe blini disa të tilla. Sigurohuni që mes tyre të mos mungojë sallata jeshile, çikorja, pazia, rukola, spinaqi. Me këtë mot, deri në prag të dhjetorit kopshti juaj do të gjelbërojë prej tyre, dhe tryezës nuk do t’i mungojnë sallatat e freskëta e natyrale të rritura në kopshtit tuaj. Spinaqin, rukolën dhe sallatën jeshile, mund t’i keni 12 muajt e vitit në ngastrën tuaj bujare.

ËSHTË KOHA E KRYQOREVE

Shtator-tetori është koha ideale për të hedhur farën e lulelakrës, brokolit, lakrës së Brukselit dhe të gjitha bimëve të kësaj familjeje. Në vjeshtë ato rriten dhe zhvillohen në kushte optimale. Bujaria e vjeshtës shkon edhe më tutje. Ata që e njohin këtë fushë, e dinë mirë se tani është fiks momenti për të mbjellë hudhrën, qepën dhe preshin.

ERËZA TË FRESKËTA SI NË PRANVERË

Mbillen në pranverë, por absolutisht mund t’i keni përsëri në vjeshtë në kopshtin tuaj. Flas për erëzat e shëndetshme dhe bazike për kuzhinën tonë: borzilokun, rozmarinën, majdanozin dhe koprën. Sipas Karajt, të gjitha këto mbillen tani dhe konsumohen në dimër. Po ashtu, në vjeshtë është edhe momenti i finokut

LULËZIMI VJESHTAK

Vjeshta duket sikur sjell fundin e shpërthimit të luleve, por nëse i kushtoni vëmendjen e duhur, kjo stinë mund të sjellë një lulëzim të ri në ballkonin apo oborrin tuaj.

Krizantema është lulja e vjeshtës. Mund ta mbillni tani, qëndron e gjelbëruar gjithë vitin, por në nëntor-dhjetor ka kohën e lulëzimit.

Çiklamina Është një lule që vjen në shumë varietete, por ngjyrat e saj të ndezura është e sigurt që do t’ju kujtojnë pranverën edhe në vjeshtë.

Begonja Është e bukur dhe rezistente edhe ndaj temperaturave të ulëta. Është nga ato lule që mund të zërë rrënjë edhe nga një bistak i thyer.

Gladiola Duket si një lule e brishtë, por delikatesa në dukje e saj, është e përgatitur t’i bëjë ballë të ftohtit. Gladiola është ideale për oborre dhe dekore të jashtme.

Mjafton të keni dëshirë për ta pranverizuar ballkonin tuaj vjeshtak, sepse alternativat janë të panumërta. Unë do të shtoja këtu edhe tre varietete lulesh: crocus, dalia dhe nerine. Mbillini këto lule sa jeni ende në kohë dhe ballkoni juaj s’do të jetë i zymtë as në vjeshtë.

revista living