Lulzim Basha shpallet zyrtarisht kryetar i PD-së, si u ndanë votat për 3 kandidatët e tjerë

0
204

Kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve në Partinë Demokratike, Jemin Gjana ka dhënë rezultatin final të zgjedhjeve të brendshme të kësaj force politike, ku Lulzim Basha është shpallur kryetar në mandatin e tij të tretë.

Gjana tha se janë 32 882 anëtarë që kanë votuar Lulzim Bashën përkundrejt tre kandidatëve të tjerë që kanë qenë pjesë e kësaj gare.

I vetmi kandidat që reagoi sot, ishte Fatbardh Kadilli, i cili njohu rezultatin, pavarësisht që sipas tij gara ka qenë e pabarabartë, sa kohë që Basha nuk dha dorëheqjen nga pozicioni i kryetarit dhe u fut sërish në garë.

Kandidati Agron Shehaj pati pretendime për parregullsi në disa qendra votimi, ku vëzhguesit e tij ishin përjashtuar, por sot nuk ka pasur një reagim pas shpalljes së rezultatit. As vetë Lulzim Basha nuk ka një koment ende për zgjedhjen e tij në krye të partisë për mandatin e tretë në radhë.

Deklarata e Gjanes:

DEKLARATË E KRYETARIT TË KOMISIONIT ZGJEDHOR NË PD, JEMIN GJANA

Komisioni Zgjedhor i Partisë Demokratike sapo ka përmbyllur procesverbalin e përgatitjes dhe të deklarimit të rezultatit përfundimtar zyrtar.

Kemi administruar 76 kutitë e 76 komisioneve të votimit në të gjithë vendin. Në prani të Komsionit janë hapur një nga një kutitë, janë regjistruar të dhënat e dokumentuar në procesverbale.

Nga procesverbalet e administruara në kuti rezulton që në të gjitha rastet komisionerët, natyrisht kanë firmosur dhe përfaqësuesit e kandidatëve në garë në të gjithë ato raste ku kandidatët kanë patur përfaqësim.

Bazuar në të dhënat zyrtare të 76 procesverbaleve të futura në llogaritje.

Bazuar në të dhënat zyrtare të 76 procesverbaleve të futura në përllogaritje rezulton se 75 mijë e 67 anëtarë të Partisë Demokratike, kanë votuar 41 mijë e 97 anëtarë. Vota të pavlefshme kanë rezultuar 413. Vota të vlefshme janë 40 mijë e 684 vota. Të ndara sipas kandidatëve në garë: Për z. Fatbardh Kadilli kanë votuar 781 anëtarë. Për zonjën Edith Harxhi kanë votuar 983 anëtarë. Për z. Agron Shehaj kanë fotuar 6 mijë e 38 anëtarë dhe për z.Lulzim Basha kanë votuar 32 mijë e 882 anëtarë. Bazuar në këto të dhëna, komisioni Zgjedhor i Partisë Demokratike shpall zyrtarisht fitues të garës për kryetar të PD-së z. Lulzim Basha.

Ju falënderoj për të gjithë kohën që i keni kushtuar ndjekjes së procesit të votimit dhe mirutakofshim në evente të tjera të Partisë Demokratike.

(E.K/Faxweb.al)