Teksa ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026 po afrohet dhe është planifikuar për këtë të premte, ekspertët kanë ngritur alarmin për përpjekjet e krimit të organizuar italian për t’u infiltruar në këtë event madhor përmes zhvatjes, dhunës dhe intimidimit.
Sipas specialistit Paolo Valenti, organizimi i Olimpiadës ka qenë objektiv i vazhdueshëm i mafies, një fenomen i njohur historikisht në Itali. Ai ka bërë të ditur se vetëm gjatë vitit 2025, Ministria e Brendshme italiane ka përjashtuar 54 kompani nga tenderat e punimeve, për shkak të dyshimeve për lidhje me organizata kriminale. “Janë shifra shumë domethënëse”, ka deklaruar Valenti për gazetën Ouest-France.
Problemi, megjithatë, nuk kufizohet vetëm te tenderat publikë. Në muajin tetor, policia e Cortina d’Ampezzo-s arrestoi tre persona, të dyshuar për “zhvatje të rënduar me metodë mafioze”. Mes tyre ishin dy vëllezër, të njohur si ultras të Lazios dhe me lidhje me krimin e organizuar në Romë. Grupi dyshohet se ka tentuar të kontrollojë trafikun e drogës në zonë, të ushtrojë presion ndaj lokaleve të natës dhe të ndërhyjë në kontrata të lidhura drejtpërdrejt me Olimpiadën. “Këtu është Cortina, ne komandojmë”, thuhet se kanë deklaruar ata gjatë një procedure tenderimi.
Autoritetet italiane, në bashkëpunim me shoqatat civile si “Libera”, kanë shtuar masat kundër infiltrimit mafioz. Programi “Open Olympics 26” synon transparencë të plotë në dhënien e kontratave publike, për të mbrojtur integritetin e Lojërave Olimpike.
© SYRI.net


