Manastirliu: Plani Kombëtar i Veprimit për Personat LGBTI 2021-2027, angazhime konkrete multisektoriale

0
153

Në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u prezantua Plani Kombëtar i Veprimit për Personat LGBTI 2021-2027, i cili synon më shumë drejtësi dhe barazi në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të komunitetit LGBTI.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu së bashku me ambasadorin e Bashkimit Evropian, Luigi Soreca, drejtuesen e Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, Jutta Gützkow, përfaqësuesin e UN Women, Michele Ribotta, Avokaten e Popullit, Komisionerin për Mbrojtjen nga Diskriminimi si dhe përfaqësues të shoqërisë civile, lançuan sot Planin Kombëtar të Veprimit për Personat LGBTI 2021-2027,  i cili synon më shumë drejtësi dhe barazi në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të komunitetit LGBTI.

“Qëllimi i takimit sot është prezantimi i Planit Kombëtar të Veprimit për Personat LGBTI+ 2021-2027, i cili synon më shumë drejtësi dhe barazi në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të komunitetit LGBTI+”, tha Manastirliu.

“Prezantimi i këtij Plani është një dëshmi e faktit se përpjekjet për më shumë të drejta dhe mosdiskriminim të personave LGBTI, janë të mundura përmes angazhimeve konkrete, multisektoriale dhe që kërkojnë përfshirjen të të gjithë aktorëve”, theksoi ministrja e Shëndetësisë.

“Shqipëria ka bërë progres të rëndësishëm vitet e fundit, lidhur me mbrojtjen dhe të drejtat e  personave LGBTI+, kjo theksuar dhe në raportet ndërkombëtare, por pavarësisht arritjeve, jemi të ndërgjegjshëm se beteja kundër stereotipeve dhe qëndrimeve paragjykuese është e gjatë dhe e vështirë”, tha Manastirliu.

“Informimi, edukimi, ndërgjegjësimi, për të mbrojtur të drejtat e individëve LGBTI+, si të drejta të njeriut, kërkon angazhimin e të gjithë individëve dhe sigurisht dhe të një seri burimesh për ndërmarrjen dhe realizimin e të gjithë veprimeve apo ndërhyrjeve të parashikuara në këtë plan”, u shpreh ministrja.

“Në planin kombëtar të veprimit 7-vjeçar, ku ne i kemi kushtuar një rëndësi të veçantë adresimit të nevojave të personave LGBTI+, nëpërmjet krijimit të një mjedisi të sigurt, të pranueshëm e gjithëpërfshirës, si dhe avancimit drejt barazisë, përmes përmirësimit të kuadrit ligjor, politikave, programeve, shërbimeve dhe ndërtimit të kapaciteteve të duhura profesionale, në përmbushje dhe të rekomandimeve të Komisionit Evropian Kundër Racizmit dhe Intolerancës”, tha Manastirliu.

Ndërsa ambasadori i BE, Luigii Soreca u shpreh në fjalën e tij se, “Plani Kombëtar i Veprimit për Personat LGBTI 2021-2027 përfaqëson një arritje të madhe për Shqipërinë, në fushën e mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të grupeve të cenueshme. Ai ka një rëndësi të madhe politike edhe për agjendën e integrimit të Shqipërisë në BE”.

“Një vend që synon anëtarësimin në BE, duhet t’u përmbahet parimeve themelore të BE. Respektimi i të drejtave themelore, toleranca dhe pranimi i diversitetit, janë të panegociueshme”, tha ai.

“BE-ja, delegacioni i BE-së dhe unë do të vazhdojmë përfshirjen dhe mbështetjen tonë për LGBTI-në, si dhe do të ndjekim zbatimin e Planit të Veprimit”, theksoi Soreca.

Drejtuesja e Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, Jutta Gützkow në fjalën e saj theksoi se, “kam kënaqësinë të shoh që ngjarja e sotme mbledh së bashku, ministren e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, përfaqësues nga ministritë dhe institucionet e tjera shtetërore dhe organet e barazisë, si dhe aktorë të shoqërisë civile që punojnë së bashku për barazi dhe një shoqëri gjithëpërfshirëse. Pjesëmarrja juaj në aktivitetin e sotëm dëshmon përkushtimin tuaj për të bashkuar forcat për një zbatim të suksesshëm të Planit Kombëtar të Veprimit LGBTI 2021-2027”. /j.p/