Ka përfunduar mbledhja e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtëtuese. Burime pranë Kushtetueses bëjnë me dije për A2 CNN se mbledhja ka vlerësuar që mandati i Zaçajt përfundon më 10 mars 2025.
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçaj vlerëson se mandati i përfundon pas 12 muajsh. Për të shuar këtë dilemë ajo thirri mbledhjen e gjyqtarëve në Kushtetuese dhe për t’i paraprirë situatave të ngjashme në të ardhmen, ajo deklaroi se ka kërkuar edhe opinionin e ekspertëve ndërkombëtarë të Komisionit të Venecias.
“Gjykata e Lartë në vendimin e saj ka deklaruar zgjedhjen e Znj. Holta Zaçaj si anëtare e Gjykatës Kushtetuese me mandat të pjesshëm deri në kryerjen e ripërtëritjes në vitin 2025. Duke qenë se nuk ka një datë të përcaktuar për përfundimin e kësaj detyre, bazuar në rregullat e përgjithshme juridike për llogaritjen e afateve, si afat fundor i ushtrimit të detyrës do të duhet të konsiderohet fundi i vitit 2025”, tha Zaçaj dy javë më parë.
Ndërkohë Gjykata e Lartë ka hapur procedurat për aplikime për të zëvendësuar kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj. Sipas Gjykatës së Lartë, ndryshe nga sa pretendon zonja Zaçaj, mandati i saj përfundon në mars të vitit 2025.