Ministria e Shëndetësisë informon se Maqedonia e Veriut me ndihmën e Bashkimit evropian do të sigurojë ilaçin “Remdesivir”, i cili shërben për të trajtuar pacientët me COVID-19.
Mediat vendase bëjnë me dije se MSH thekson se Komisioni Evropian ka nënshkruar marrëveshje me kompaninë farmaceutike “Gilead” për blerjen e 500.000 dozave nga “Veklury” emri brend i ilaçit “Remdesivir”, me mundësinë për rritjen e sasive.
“Marrëveshje e përbashkët për blerje është nënshkruar nga 36 vende, duke përfshirë vendet e BE-së, Norvegjinë dhe Islandën, Mbretërinë e Bashkuar dhe gjashtë vendet kandidate për në BE, që përveç Maqedonisë së Veriut janë edhe Shqipëria, Kosova, Serbia, Mali i Zi, dhe Bosnja e Hercegovina”, thonë nga MSH.
Më tej thonë se kjo është hera e gjashtë e zbatimit me sukses të procedurës së blerjes së ilaçeve.
Ndryshe, Maqedonia e Veriut përmes Studimit klinik të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tashmë e posedon ilaçin “Remdesivir”, ndërsa me këtë do të sigurohen sasi shtesë nga i njëjti ilaç./abcnews.al