
Mes mijëra simpatizantëve kryetari i Partisë Social Demokrate Tom Doshi dhe kandidatët për deputet në qarkun Shkodër zhvilluan një takim në pallatin e sportit me elektoratin e PSD. Doshi u shpreh se programi si pika të forta në këto zgjedhje të 11 majit ka mbështetjen për shtresat sociale.
“Programi ynë është një program social, është për të varfrit, të sëmurët. 7 mijë raste të reja kemi me kancer në vit, 80 mijë shqiptarë janë të prekur. Të bësh një analizë është 1500 euro. E dini sa kushton ajo aparaturë? 1 mln euro. Ne kemi 1 pet-scaner në Shqipëri dhe është në privat, në një kohë kur Kosova ka 5. Shqipëria ka nevojë për 8 të tillë. Ne marrim përsipër që Shqipëria t’i ketë këto 8 aparatura që u shërbejnë të sëmurëve Shqiptarë. Çfarë janë 10 mln euro për qeverinë. Përurohen çdo ditë spitale të reja. Vidhen miliona, kanë 80 mijë familje që vuajnë, 66 mijë njerëz në nevojë në Shkodër. 100 mijë marrin pjesë në votime. Ndaj i bëj thirrje sot këtyre 80 mijë familjeve, votoni PSD. I bëj thirrje diasporës mendoni për këta 1 milion të varfër në Shqipëri
Gjatë fjalës së tij kreu i PSD Doshi për gjendjen e vështirë ku ndodhet Shqipëria fajësoi dy partitë e mëdha PS dhe PD.
“Në 2013 Berisha la pushtetin si i korruptuar, edhe sot të vjen zor kur sheh gjysmën e qeveris ënë burg e nën hetim, njerëzit që vjedhin qytetarët nuk na përkasin ne, nuk i përkasin Shqipërisë. Kreu i Bashkisë Shkodër, që drejton fushatën e PS në Shkodër është i pandehur. Si mund të drejtojë fushatën një njeri që ka vjedhur qytetarët? Kam besim që jo vetëm në Shkodër por në të gjithë Shqipërinë populli do të na votojë. Jemi e vetmja shpresë. Si mund të shkojmë në Europë me pensione 100 euro, kur ende nuk i kemi ndarë tokat? Premtoj se pa PSD nuk ka mazhorancë në Shqipëri. Kanë hapur fjalë se do të bashkëpunojmë me Berishën. Më parë bën koalicion Rama me Berishën se Tom Doshi. Shkodra fillon me fitoren me 3 mandate”, ka deklaruar ai.
Takimet elektorale të PSD do të vijojnë në gjithë vendin ndërsa social demokratët synojnë që në zgjedhjet e 11 majit përveçse të sigurojnë grup parlamentar deputetësh të jenë edhe forca politike që do vendosë qeverinë e ardhshme.
