Martesat nën moshë, UNICEF ngre alarmin: 640 milionë raste në të gjithë botën

0
80

Të paktën 640 milionë vajza dhe gra në mbarë botën janë martuar në fëmijëri, ose 12 milionë vajza në vit sipas Unicef.

Përqindja e vajzave të reja të martuara në fëmijëri është ulur nga 21% në 19% që nga vlerësimet e fundit të publikuara pesë vjet më parë.

Megjithatë, pavarësisht këtij progresi, reduktimi global do të duhet të jetë 20 herë më i shpejtë për të arritur Objektivin e Zhvillimit të Qëndrueshëm për t’i dhënë fund martesave të fëmijëve deri në vitin 2030.

Afrika Sub-Sahariane, e cila aktualisht ka shkallën e dytë më të lartë në botë të nuseve të mitura (20%), është mbi 200 vjet larg përfundimit të praktikës me normën aktuale.

Rritja e shpejtë e popullsisë, e shoqëruar me krizat e vazhdueshme, duket se do të rrisë numrin e vajzave të reja të martuara në fëmijëri, në kontrast me rëniet e pritshme në pjesën tjetër të botës.

Amerika Latine dhe Karaibet po ashtu mbeten prapa dhe kanë nivelin e dytë më të lartë rajonal të martesave në moshë të hershme deri në vitin 2030.

Pas periudhave të progresit të qëndrueshëm, gjithashtu në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore, Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore, rënia ka ndaluar.

Azia Jugore, nga ana tjetër, vijon të udhëheqë reduktimet e rasteve në nivel global dhe është në rrugën e duhur për të eliminuar praktikën e nuseve të reja në rreth 55 vjet. Megjithatë, rajoni vazhdon të jetë shtëpia e gati gjysmës (45%) së grave në botë që janë martuar gjatë fëmijërisë së tyre.

Edhe pse India ka bërë përparim të konsiderueshëm në dekadat e fundit, ende përbën një të tretën e totalit global.