Masa për të “shtypur” protestën, kryeministri kanadez: Kamionistët po rrezikojnë sigurinë publike

0
157

Kryeministri kanadez Xhastin Trudo thirri Aktin e Emergjencave në përpjekje për t’i dhënë fund protestës së kamionistëve, të cilët protestojnë prej javësh kundër vaksinimit me detyrim.

Kjo është hera e dytë në histori që qeveria thërret Aktin e Emergjencave në kohë paqeje.

Kreu i qeverisë ka deklaruar se protestuesit kanë cunguar lirinë e kanadezëve, si edhe ekonominë e vendit, edhe pse vendi ka qenë në lock-down (karantinë) të vazhdueshme.

“Këta njerëz kanë kaluar nga protesta në bllokim të lirive të bashkëqytetarëve tanë, duke dëmtuar vendet e punës dhe duke rrezikuar sigurinë publike. Ata po dobësojnë vendin tonë, tregtinë, jo vetëm tani por edhe në të ardhmen.”

Kamionistët kanadezë kanë dalë për të protestuar kundër masave anti-covid, të cilat i quajnë diskriminuese, por edhe rrënuese për xhepat e tyre.

Kryeministri Trudo tha se pas Aktit të Emergjencës autoritetet do të kishin më shumë kompetenca për të arrestuar protestuesit, për të sekuestruar kamionët e tyre si edhe për të ndalur financimin e protestave nga qytetarët.

Për të tretën javë radhazi kamionistët kanë bllokuar rrugët kryesore të kryeqytetit kanadez Otava, të cilët e quajnë ‘Karvani i Lirisë’ dhe është përqafuar nga mijëra persona në Kanada, SHBA dhe vende të tjera të Evropës.