Masakër mjedisore, priten pishat në Krastë të Elbasanit

0
399

Kodër-Krasta në qytetin e Elbasanit vijon të shpyllëzohet me ritme të shpejta. Së fundmi në këtë zonë që njihet si “mushkëria” e qytetit të Elbasanit janë kryer qindra prerje të paligjshme.

Jashtë kamerës persona që çdo ditë kryejnë aktivitet fizik në këtë kodër na treguan se shohin shpesh herë mjete të tonazhit të rëndë që shkulin pemë.

Në orët e para të mëngjesit dhe gjatë orëve të vona të mbrëmjes, persona të paidentifikuar përdorin kavo të cilat tërhiqen nga makina të tonazhit të rëndë dhe më pas trupat e pishave rrëzohen me qëllim që pas disa ditësh të priten dhe të përdoren për dru zjarrin.

Këtu duken qartë dhe gjurmët e rrotave të këtyre mjeteve.

“Kanë prerë plot, masakrim i madh.”

“Këtu është ajri i qytetit tonë, ne vijmë këtu për oksigjen këta i kanë prerë. Të vjen keq të dhemb shpirti. Ju lutem mos bëjnë të tilla veprime janë shumë gabim.”

Shumica e këtyre pishave janë mbjellë rreth 55 vite më parë. Ky zotëri thotë se ishte fëmijë kur zona u pyllëzua.

“Kam punuar që 15 vjeç këtu kemi bërë taraca. Mendoj se i marangozët që kemi në qytet dalin dhe i presin.  Kanë mbjellë dhe disa pisha të vogla, u mbollën para 5-6 vjetësh. I kanë ngrënë bagëtitë që lëshojnë çdo ditë barinjtë, pishat e reja I kanë ngrënë komplet. Nëse vazhdohet kështu këtu do bëhet shesh fare.”

Përgjatë gjithë kodrës të sheh syri pemë të prera.

Pjesa fundore e Kodër-Krastës është dëshmia më e qartë e masakrës mjedisore. Pas krahëve të mij të paktën 150 prerje të reja kemi numëruar këtë ditë që kryejmë këtë vëzhgim.

Abc ka mësuar se në këtë pyll nuk ka asnjë roje të punësuar për të mbajtur në kontroll territorin.

Duket se institucionet që kanë për detyrë të ruajnë këtë sipërfaqe të gjelbër të qytetit të Elbasanit nuk ekzistojnë. /abcnews.al