Masakra më e rëndë në historinë e Suedisë u krye nga 35-vjeçar suedez, Rickard Andersson i cili ishte i papunë për një dekadë dhe kishte ndryshuar emrin dhe mbiemrin, sipas burimeve të policisë.Policia nuk e ka konfirmuar publikisht moshën dhe profilin e sulmuesit, i cili vrau të paktën 10 persona dhe plagosi disa të tjerë përpara se të kthente pushkën e tij të gjuetisë nga vetja në masakrën e ditës se martë në një shkollë për të rritur në Orebro.
Burimet thanë se i dyshuari, i cili vdiq në vendngjarje, nuk ishte i njohur për ta para ngjarjes dhe nuk ishte dënuar asnjëherë për ndonjë krim. Po ashtu paraprakisht thuhet se ai nuk kishte lidhje me ndonjë bandë dhe besohej se kishte vepruar i vetëm.
Studentët dhe mësuesit kanë deklaruar për mediat lokale se ata u përpoqën të shpëtonin shokët e tyre përpara se të largoheshin nga vendi i ngjarjes.
E përditshmja suedeze Aftonbladet, e cila foli me të afërmit e personit që besohet të jetë autori i vrasjeve, e përshkroi atë si një të vetmuar që kishte pasur kontakte të kufizuara me familjen e tij për vite me radhë. Ai jetonte i izoluar dhe kishte probleme mendore. Atij iu mohua shërbimi ushtarak, por mori licencë për katër armë gjuetie.
Në përgjigje për Aftonbladet, Shërbimi Kombëtar Suedez shkruan se arsyeja pse ai nuk u thirr kurrë në ushtri ishte sepse i mungonin kualifikimet e shkollës së mesme.
Transmetuesi publik suedez SVT, i cili nuk citoi burimet e tij, tha se sulmuesi, si shumë në Suedi, kishte një licencë gjuetie dhe kishte përdorur një armë gjuetie gjatë sulmit.
Të dhënat treguan se sulmuesi deklaroi për herë të fundit të ardhura nga puna në vitin 2014 dhe se ai jetonte në një apartament me një dhomë gjumi në një ndërtesë më pak se një kilometër nga qendra e qytetit.
Shkolla ku u krye sulmi ishte institucionin arsimor për të rriturit që nuk e kanë përfunduar atë ose që kërkojnë nota më të larta për të hyrë në arsimin e lartë.
Duke cituar burime të paidentifikuara, Aftonbladet raportoi se sulmuesi e fshehu armën e tij në një kuti “në formë kitare” dhe ndërroi rrobat në banjën e shkollës para se të fillonte të qëllonte.
Top Channel