Masakra me 6 të vrarë në Greqi, mediat e vendit fqinj: Viktimat nuk janë shqiptarë por turq!

0
179

Mediat në Greqi kanë dhënë detaje në lidhje me ngjarjen e rëndë të regjistruar mbrëmë ku 6 persona u gjetën të vrarë në qytetin bregdetar të Artemidës në Atikën Lindore, rreth 20 kilometra larg kryeqytetit grek.

Edhe pse fillimisht u raportua se viktimit ishin shqiptarë, sot mediat greke shkruajnë se bëhet fjalë për shtetas turq, të cilët po udhëtonin me një makinë blu me targa gjermane. Pesë nga viktimat u gjetën të vdekur brenda automjetit dhe i gjashti, që besohet se ishte drejtuesi, ndodhej jashtë tij.

Asnjë nga gjashtë viktimat, që ende nuk janë identifikuar zyrtarisht – nuk u gjet me precedentë penalë në Greqi, ndërsa fakti që asnjë prej tyre nuk ishte i armatosur po trajtohet gjithashtu si potencialisht i rëndësishëm.

Hetuesit mjeko-ligjorë janë duke kërkuar në vendin e krimit që nga e hëna në prova që tregojnë se si ndodhi ngjarja dhe identitetin e autorëve, dhe kanë mbledhur më shumë se 20 gëzhoja të qëlluara nga një pistoletë.

Autoritetet greke kanë bërë kërkesë për ndihmë edhe pranë Interpolit dhe po punojnë me kolegët gjermanë për të identifikuar targat.

Ndërkohë, hetuesit po mbledhin pamjet e kamerave të sigurisë nga afërsia më e gjerë me shpresën për të gjetur të dhëna që do t’i çojnë te autorët e sulmit, për të cilin disa dëshmitarë thanë se përfshinte një makinë me ngjyrë të errët dhe një motoçikletë.

Për momentin, policia po e trajton ngjarjen si pjesë e një lufte në terren midis bandave rivale kriminale, ndoshta të lidhura me drogën.