Masakra me tre viktima në Dobraç ende pa autor, zbardhet dëshmia e Safet Bajrit në polici

0
48

Safet Bajri ishte një ndër personat e parë që u shoqërua në polici ditën e djeshme pas atentatit që tronditi Shkodrën duke lënë pas tre viktima.

Burimet bëjnë me dije se Safet Bajri ka deklaruar në polici se nuk ka dijeni në lidhje me ngjarjen, ndonëse dyshimet e para nga atentati janë përplasjet mes dy grupeve në Shkodër, Bajrat dhe Licët. Pasi është pyetur, Bajri është lënë i lirë.

Të vdekur nga atentati mafioz mbetën Hamza Lici, Arlind Bushati dhe aksidentalisht Flutura Basha, ndërsa po lufton për jetën bashkëshorti i saj Bashkim Basha

Si ndodhi ngjarja?

Një makinë në lëvizje me autorë ende të paidentifikuar qëlloi në armë zjarri drejt Hamza Licit dhe Arlind Bushatit.

Lici ndërroi jetë, ndërsa Arlind Bushati luftoi për jetën në spital për disa orë pasi mori një plumb në kokë. Lici dhe Bushati po udhëtonin nga Shkodra drejt Koplikut me makinën tip Benz me targa kroate, në momentin që u qëlluan.

Viktima Hamza Lici është vëllai i Ibraim Licit, i kërkuar për vrasje.

Përpara disa ditësh Arlind Bushati denoncoi në polici një atentat të dështuar ndaj tij në qendër të qytetit të Shkodrës.

Ai po qëndronte jashtë një lokali kur dy të rinj iu afruan me motor dhe i drejtuan armën, por dyshohet se arma u është bllokuar.

Në këtë masakër me tre viktima, e vdekur mbeti edhe një kalimtare e cila po udhëtonte më motor së bashku me bashkëshortin.

Bashkim Basha dhe Flutura Basha kanë qenë duke udhëtuar me motor kur mjeti tip Benz me të cilin po udhëtonte Lici dhe Bushati ka humbur kontrollin dhe i ka përplasur.

Për shkak të plagëve të rënda Flutura Basha ka ndërruar jetë, ndërsa Bashkim Basha vazhdon të jetë në gjendje të rëndë, aktualisht i vetmi i plagosur nga ngjarja.

Një makinë tip Land Rover model i ri e djegur është gjetur në fshatin Grudë e re të Shkodrës 10 minuta pas ngjarjes. Brenda saj janë gjetur 2 automatikë, të cilët dyshohet se janë përdorur në atentat.

Nga ana tjetër në makinën me të cilën po udhëtonin viktimat Hamza Lici dhe Arlind Bushati u gjetën tre pistoleta.

Sipas policisë, është ngritur një grup i posaçëm hetimor dhe në drejtimin e Prokurorisë vijojnë hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe sigurimin e provave, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

 

Top Channel