Detaje tronditëse kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e së hënës në Midtown Manhattan, ku Shane Devon Tamura hapi zjarr brenda një godine shumëkatëshe në adresën 345 Park Avenue, duke lënë pas viktima dhe panik masiv.
Sipas dëshmitarëve okularë, të shtëna të shpejta dhe britma pushtuan zonën vetëm pak minuta para orës 18:30, në një kohë kur qindra punonjës ishin duke lënë zyrat pas përfundimit të orarit të punës.
“Në fillim u duk si dy të shtëna të shpejta dhe më pas ai hapi zjarr”, tregoi Nekeisha Lewis për Associated Press. Ajo ndodhej në një restorant aty pranë, duke darkuar me miqtë kur shpërthyen të shtënat.
Lewis përshkroi dritare që shpërthyen dhe një burrë që doli me vrap nga ndërtesa, duke thirrur: “Ndihmë, ndihmë. Jam i qëlluar.”
Pamjet e frikshme dhe pasiguria u përhapën shpejt edhe në ndërtesat përreth. Punonjës të sektorit financiar, që ndodheshin pranë vendngjarjes, po merrnin ushqim kur dëgjuan të shtënat dhe panë njerëzit të iknin me panik.
“U kthye gjithçka në një skenë kaosi, një frikë kolektive,” tregoi Anna Smith, e cila së bashku me të tjerë u strehua në një ndërtesë zyrash aty pranë. Ata qëndruan të izoluar për dy orë, deri sa morën leje për të dalë nga autoritetet.
Ngjarja ndodhi në zemër të Manhattanit, në një orar maksimalisht të ngarkuar, duke tronditur një nga zonat më të frekuentuara të qytetit. Autoritetet kanë nisur një hetim të plotë, ndërsa dëshmitë e të pranishmëve ndihmojnë në rindërtimin e asaj çfarë ndodhi në ato minuta dramatike.