Australiani Brenton Tarant që masakroi vitin e kaluar 51 myslimanë në dy xhami të Zelandës së Re nuk ka treguar pendesë për krimet në nisje të seancës kundër tij. Këtë javë gjykata do vendosë nëse 29-vjeçari duhet dënuar me burgim të përjetshëm.
Autori i dy sulmeve me armë që vitin e kaluar la të vrarë 51 persona në Zelandën e Re ka dëshmuar se e kishte planifikuar masakrën për vite me radhë.
Të hënën, gjykata e vendit nisi seancën katërditore kundër 29-vjeçarit Brenton Tarrant.
Ai përballet me akuzën e 51 vrasjeve, 40 tentativave për vrasje dhe për akte terrorizmi, duke rrezikuar minimumi 17 vite heqje lirie dhe mundësisht burgim të përjetshëm.
Australiani i tha trupës gjykuese se në 15 marsin e vitit të kaluar, kur sulmoi besimtarët myslimanë teksa faleshin në dy xhamitë e qytetit të Krajstçërçit, qëllimi ishte t’u vinte zjarrin godinave.
Ai gjithashtu u tregua u penduar që nuk mundi të përmbushë sulmin në një xhami të tretë, për të shkaktuar edhe më shumë viktima.
Muaj përpara vrasjeve, ai kishte vizituar xhamitë për të studiuar planimetrinë e tyre.
Ndërsa autori pranonte fajësinë dhe tregonte me hollësi aktet, me dhjetëra të mbijetuar të sulmeve apo familjarë të viktimave apeluan gjykatësit të mos tregojnë mëshirë për të riun.
“Unë nuk të fal. Ti i dhe autoritetin vetes që t’i marrësh shpirtin 51 njerëzve ë pafajshëm, sepse në sytë e tu ata ishin myslimanë. Plagose 49 veta, le 34 gra dhe burra të ve, le jetimë 51 fëmijë nën moshën 18 vjeç dhe 19 të tjerë mbi 18. Terrorizove Zelandën e Re dhe mërzite tërë botën. Ti vrave njerëzinë tënde dhe unë nuk mendoj se bota do t’i falë krimet e kobshme kundër njerëzimit.”
Skenat e krimit të vitit të kaluar u transmetuan drejtpërdrejt nga autori përmes rrjeteve sociale, ndërsa ishin paralajmëruar edhe në një pamflet të botuar më herët.
Në manifestin e publikuar pak orë përpara ngjarjes, 29-vjeçari australian tregoi se ishte frymëzuar nga masakra të ngjashme për arsye ideologjike, racore dhe fetare.
Në armët automatike që autori përdori në 15 mars, ishte shkruar mes shumë figurave të tjera rebele të Krishtërimit edhe emri i heroit shqiptar, Skënderbeut, për kryengritjet e tij kundër otomanëve.
Ora news