Mashtrimi me mikrokreditë, Prokuroria e Tiranës sekuestron 10 mln € llogari bankare të 10 personave e 3 subjekteve financiare! Investuan në letra me vlerë

0
73

Llogari bankare me vlerë 10 mln euro ka sekuestruar Prokuroria e Tiranës për 10 persona pas skemës së mashtrimit me mikrokreditë, si edhe për 3 subjekte financiare mikrokediti, ADCA shpk., Final shpk dhe “Micro Credit Albania” sha.

Sekuestro e pasurive ka ardhur pas dyshimeve të Prokurorisë së paratë ishin përfituar përmes kësaj skeme mashtrimi, ku u zhvatën mijëra qytetarë përmes skemave të rifinancimit me kushte të këqija të kredive të vjetra apo përmes shantazhimit të tyre duke i bllokuar pronat e luajtshme apo të paluajtshme.

  • “Për to, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka dyshime se lidhen me vepra penale të kryera nga këta shtetas dhe këto shoqëri gjatë ushtrimit të aktivitetit të tyre financiar në lidhje me blerjen e portofoleve të kredive të këqija nga banka të nivelit të dytë dhe dhënien e kredive të tjera shtetasve të ndryshëm duke sekuestruar pasuritë e këtyre qytetarëve në raport të zhdrejtë me vlerën e kredive të akorduara”, njofton Prokuroria e Tiranës.
Sipas Prokurorisë, rezultoi se Arben Meskuti, Kejda Seferi, Elda Ibro dhe persona të lidhur me ta, si dhe subjektet ‘Microcredit Albania’ shpk dhe ‘Final’ shpk, kanë vlera të konsiderueshme parash në lekë dhe valutë të huaj të depozituara në banka të nivelit të dytë si dhe obligacione të ndryshme.

Dyshohet se këto shuma të mëdha parash janë përfituar përmes skemës së mashtrimit me mikrokreditë dhe me qëllim që të akuzuarit të mos i transferonin këto para u vendos sekuestro e llogarive për: Arben Meskuti, Ernela Cuberi, Olsi Ibro, Elda Ibro, Albert Gega, Andis Gjoka, Vasil Bakallbashi, Alketa Goxha, Jordisa Metaj, Edmond Mato, dhe subjekteve financiare ADCA shpk., Final shpk dhe “Micro Credit Albania” sha.

Ndërkohë, një pjesë të pasurive që e kanë përfituar nga skema e mashtrimit e kanë investuar në letra me vlerë me interes vjetor maturimi nga 4% deri në 10.5%.

8 masa sigurie

Për këtë skemë mashtrimi, Gjykata e Tiranës ka lënë në arrest shtëpie 4 prej të akuzuarve dhe 4 të tjerë janë në burg, të akuzuar për mashtrimin përmes mikrokredive të mijëra qytetarëve debitorë. Togat e zeza dhanë masën e sigurisë “arrest me burg” për Arben Meskutin, përmbarues gjyqësor, ortak i “FINAL”; Aldo Dakën, Albert Gegën dhe Edmond Maton, të tre administratorë të Star-FS ndërkohë që u dha masa e sigurisë arrest në shtëpi për administratoren e Micro Credit Albania Elda Ibron si dhe për tre përmbarueset Jorsida Dervishi; Alketa Tanushi, Kejda Seferi.

Skema e mashtrimit

Procedimi penal për skemën piramidale të mashtrimit te microkredi ka nisur në 25 shkurt të vitit 2020 pas kallëzmit të bërë në Prokurorinë e Tiranës nga Ministria e Drejtësisë. Gjatë hetimeve Prokuroria ka zbuluar se 5 shoqëritë, Micro Credit Albania, ADCA, SHP Zig, FS, FLASH, morën nga një bankë e nivelit të dytë, 3999 kredi të konsideruara të këqija dhe të pashlyera ndër vite me një shumë totale prej rreth 7.3 milionë euro. Skema funksiononte përmes “Shtrëngimit të debitorëve në bankat e nivelit të dytë. Fillimisht përmbaruesit blinin debinë e qytetarëve nga bankat e nivelit të dytë, më pas bënin kontratë me debitorët. Brenda një periudhe të shkurtër, shtrëngonin qytetarët drejt marrjes së një kredie tjetër për të mbyllur të parën.

Skema e mashtrimit të qytetarëve nga subjekti financiar MCA dhe Final, po konsiderohet e njëjti si në rastin e firmave piramidale. Dy kompanitë kishin në total 32,542 klientë, nga të cilët 90% e tyre ishin në sekuestro preventive.