Ekstradohet nga Gjermania në Shqipëri rumunia që mashtronte me email, përfitoi 33 500 euro nga një kompani shqiptare.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet gjermane, ka finalizuar ekstradimin drejt Shqipërisë të shtetases rumune Aurelia Bratianu, 37 vjeçe, e dënuar me 5 vite burg nga Gjykata e Tiranës për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.
Bratianu ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi, gjatë periudhës mars–prill 2019, kishte mashtruar përfaqësuesit e një kompanie shqiptare që merrej me tregtinë e pjesëve të automjeteve. Ajo kishte dërguar email-e fiktive me adresa të ngjashme me ato të bashkëpunëtorëve të vërtetë të kompanisë jashtë vendit, duke përfituar në këtë mënyrë rreth 33 500 euro.
Zbardhja e këtij rasti u bë e mundur falë bashkëpunimit të ngushtë mes Policisë Shqiptare dhe autoriteve britanike, ndërsa ekstradimi nga Gjermania shënon një tjetër sukses në luftën kundër krimit kibernetik dhe mashtrimeve ndërkombëtare.
/vizionplus.tv


