
Një 23-vjeçar francez është arrestuar nga policia në kuadër të operacionit kundër krimit kibernetik, i koduar “MISLEADING MESSAGES”.
I riu iu dërgonte qytetarëve të ndryshëm në Shqipëri, link të rremë, për të plotësuar të dhënat bankare, duke u kamufluar si filiali i një banke të nivelit të dytë, me qëllim që t’iu merrte para nga llogaria.
Pre e skemës së tij kanë rënë qindra qytetarë shqiptarë, ndërsa i riu u kap në një nga banomatet e kryeqytetit duke tërhequr para nga një llogari që e kishte marrë nëpërmjet linkut.
Policia e Shtetit
Finalizohet operacioni policor kundër krimit kibernetik, i koduar “MISLEADING MESSAGES”.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DPPSH, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, pas denoncimeve të marra nga qytetarë të cilët kishin rënë pre e një mashtrimi nëpërmjet linqeve bankare të rreme, finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “MISLEADING MESSAGES”.
Në kuadër të këtij operacioni, pas një pune intensive hetimore dhe operative, u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. S., 23 vjeç, lindur dhe banues në Francë.
Arrestimi i këtij shtetasi u krye pasi përmes mashtrimit me dërgimin e mesazheve të rreme në celularë, kërkonte plotësimin e formularëve me të dhëna bankare personale, të cilat më pas i përdorte për të tërhequr para nëpërmjet bankomateve (ATM) dhe aplikacioneve bankare të instaluara në celulare.
Në këtë skemë mashtrimi kanë rënë viktimë qindra shtetas shqiptarë.
Falë veprimeve të shpejta dhe profesionale të grupeve hetimore, u realizua lokalizimi dhe arrestimi në flagrancë i këtij shtetasi.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 celularë.
Vijojnë hetimet për identifikimin dhe procedimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”.
Drejtoria për Hetimin e Krimeve Kibernetike në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit siguron qytetarët se ka të gjitha kapacitetet logjistike dhe burimet njerëzore për të gjurmuar, identifikuar dhe arrestuar ata që keqpërdorin hapësirat e rrjeteve sociale në dëm të qytetarëve dhe apelon sërish për më shumë vigjilencë nga qytetarët ndaj çdo aplikacioni të panjohur që iu ofrohet në rrjetet e tyre sociale dhe t’i denoncojnë menjëherë në Policinë e Shtetit.
