Policia e Tiranës ka vënë në pranga dy persona në kuadër të operacionit “Agjentët e rremë”.
Dy të arrestuarit (bashkëjetues), iu merrnin shuma të mëdha parash qytetarëve, duke i mashtruar se do t’iu blinin apartamente, dhe më pas falsifikonin mandate banke për t’i bindur për depozitimin.
Në pranga kanë rënë shtetasit E. R., 39 vjeç dhe V. Z., 34 vjeçe, bashkëjetues.
“Nga hetimet e kryera dyshohet se 2 shtetasit iu kanë marrë shuma të konsiderueshme parash, qytetarëve, duke iu premtuar se do t’iu blinin apartamente.
Pasi përvetësonin paratë, 2 shtetasit falsifikonin mandate banke, për të mashtruar qytetarët se paratë ishin depozituar.
Më pas, dokumentet false i paraqitnin dhe te përfaqësues të shoqërive në fushën ndërtimit, me qëllim lidhjen e kontratave fiktive, për shitblerje apartamentesh”, njofton policia.
Vijojnë hetimet e thelluara në lidhje me këtë ngjarje./vizionplus.tv


