Italia është një prej skuadrave që do të luajnë në playoffin e Botërorit të kësaj vere që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë. Të Kaltrit do të kërkojnë të evitojnë një tjetër turp dhe të kualifikohen për në këtë edicion të Kupës së Botës pasi dështuan në ata të 2018 dhe 2022.
Marco Materazzi që e di së çfarë do të thotë të luash në një botëror foli për këtë moment të Kombëtares italiane në një intervistë për kanalet zyrtare të FIGC
‘Ajo që di është se Rino do të shesë shtrenjtë lëkurën e tij për të na çuar në botëror-tha Materazzi-ka marrë rolin më të vështirë që mund të merrte, kualifikimi direkt ishte kompromentuar. Po kërkon të që transmetojë entuziazmin e tij te skuadra. Nuk do të përballemi me skuadra fantasike, por të vështira. Ai duhet të gjejë mënyrën që t’i lërë djemtë të qetë. Do të duhet shtyrë shumë, jam i bindur se po punon me profesionalizmin maksimal dhe është gjëja më e rëndësishme për të qenë të gatshëm për takime kaq të vështira’
Ish mbrojtësi I Interit dhe kombëtares italiane u kthye pas në kohë për të kujtuar triumfin e 20 viteve më parë në Gjermani në Botërorin 2006.
‘Kur shkuam në momentin e penalltive, ishte dikush si Rino që i kishte hequr këpucët-kujton Materazzi-Iaquinta bënte xhiro, Fabio Cannavaro tha se do të gjuante penalltinë e 6, por për mendimin tim, më parë do të gjuante Buffon sesa ai. Kështu që nuk kishim mbetur shumë. Unë gjithnjë kam gjuajtur penalltitë dhe e ndjeja që duhet ta bëja edhe pse më ishte fiksuar se nëse shënon gjatë ndeshjes, më vonë gabon. Por kur arrin deri aty, nuk mund të tërhiqesh pas’
Marco Materazzi gjatë karrierës së tij ka pasur mundësinë të luajë përkrah lojtarëve të tillë si Alessandro Nesta, Paolo Maldini dhe Fabio Cannavaro.
‘Për pastërtine dhe inteligjencën taktike, Nesta ka qenë më i miri bashkë me Maldinin-shtoi Materazzi-duke luajtur përkrah tyre ndihesha pak i frikësuar, për Cannavaron nuk them të njëjtën gje sepse e shihja pak më pranë meje, dukeshim si dy fëmijë që luanim në park. Mbrojtësit e sotëm kanë ndryshuar, por ka ndryshuar dhe futbolli. Në kohët tona, gjëja e parë ishte të markonim dhe të mos pësonim gol, çdo kush bënte rolin e tij. Sot, mbrojtësi duhet që në radhë të parë të dijë të menaxhojë topin me kembë,(nuk është se unë nuk dija ta bëja këtë) sesa të markojë kundërshtarin për të mos e humbur. Gjithnjë mendoj se mbrojtësi duhet të bëjë mbrojtësin, mesfushori mesfushorin dhe sulmuesi sulmuesin’
Marco Materazzi ka ndërruar shumë fanela skuadrash, por ka puthur vetëm tre.
‘Janë fanellat me të cilat jam lidhur më shumë-tregon Materazzi-fanela e Italisë, ajo e Perugias që më dha mundësinë të luaja me Kombëtaren dhe e Interit; fitova Tripletëm me disa prej shokëve të skuadrës; Toldo, Cordoba e Zanetti, me të cilët përjetova edhe disfatën e 5 majit të 2002. Është treguesi se nëse këmbëngul për të marrë atë që le rrugës, në fund ia del mbanë’.
Në shpatulla, Materazzi ka mbajtur fanelën me numrin 23, një homazh për legjendën e basketbollit, Michael Jordan
‘Babai im më thoshte që duhet të luaja basketboll, për fat të mirë nuk ia vura veshin-tha Materazzi që më pas u kthye te imazhi që ka bërë historinë e futbollit botëror, ai i momentit kur Zidane e goditi me kokë duke u ndëshkuar me karton të kuq, në finalen e Botërorit 2006. Ish mbrojtësi italian zbuloi se gjithçka nisi nga një qortim i Gattusos.
‘Kur Buffon bëri atë pritje ndaj gjuajtjes me kokë të Zidane, Rino donte të më vriste se nuk e markova-tregon Materazzi-në të vërtetë unë po markoja Trezeguet, por në raste të caktuara ishte më mirë të mos diskutoje me të dhe kështu ndodhi. Pak më vonë në të njëjtën situatë e mbajta pak nga fanela, doja që ta pengoja të kërcente. I kërkova falje dy herë, por herën e tretë kur më përsëriti se nëse doja fanelën e tij, do të ma jeptë, unë i thashë diçka…Por nuk ishte asgjë më shumë nga ato që i kemi thënë njëri-tjetrit kur ishim shumë të rinj kur luaja në lungomaren e Barit’
Botërori i Materazzit është një shkallë elektrike me emocione. Filloi duke marrë vendin e Nestës së dëmtuar në ndeshjen e tretë në grup me Cekinë. Goditje këndi, gjuajtje me kokë perfekte dhe topi në rrjetë, një gol i ngjashëm me atë që ai shënoi ndaj Francës në finale.
‘Ishte më i rëndësishëm se ai që shënova në finale sepse na dha mundësinë që të mos përballeshim me Brazilin-tregon Materazzi-patëm një rrugë më të lehtë që më pas na e forcoi rrugëtimin. U përballëm me Gjermaninë si të pathyeshëm. Ia dedikova atë gol nënës sime, në ndeshjen tjetër, atë me Australinë u ndëshkova me karton të kuq dhe dikush tha që magjia ishte mbaruar. Në finale m’u dha sërish rasti dhe duke parë kërcimin, ka qenë dikush që më ka shtyrë; mendova nënën time. Por duhet të them se e vetmja rreze drite që ishte në stadiumin e Berlinit, ndriçonte pikërisht bashkëshorten dhe fëmijët e mi’


