Ministria e Arsimit dhe Qendra e Shërbimeve Arsimore ka miratuar periudhën e aplikimeve me formularët A1 dhe A1Z për Maturën Shtetërore dhe Maturën Shtetërore Profesionale 2026.
Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro tha sot se “nxënësit duhet të përcaktojnë edhe lëndët me zgjedhje duke nisur nga data 2 -11 shkurt”.
“Ndërsa për maturantët e viteve të kaluara, të cilët duan të bëhen pjesë e Maturës Shtetërore 2026, shërbimi për formularët A1Z do të aktivizohet në datat 10–11 shkurt”, theksoi Kumbaro.
Ministrja Kumbaro i bëri apel maturantëve të ndjekin me vëmendje afatet dhe udhëzimet përkatëse.
Ministria e Arsimi sqaron hapat si duhet të aplikojnë maturantët: Identifikohuni si qytetar në portalin e-Albania; Zgjidhni shërbimin “Matura Shtetërore”; klikoni butonin “Përdor”; zgjidhni llojin e formularit të aplikimit (maturantët duhet të zgjedhin A1, ndërsa kandidatët A1Z) dhe plotësoni të gjithë të dhënat e nevojshme të kërkuara në formular; klikoni butonin “Dërgo” në fund të formularit.
Për aplikimin me A1/A1Z, përgjigjja merret pasi përfundon procesi me konfirmimin dhe printimin e formularit në shkollë.
Aplikimi me formularin A1/A1Z është i vlefshëm vetëm për Maturën Shtetërore të këtij viti shkollor, duke përfshirë edhe sesionin e dytë (të vjeshtës).


