Mbështetje fëmijëve që humbën prindërit në krye të detyrës, ngrihet komisioni ligjzbatues

0
161

Këshilli i Ministrave miratoi sot vendimin për krijimin e komisionit të posaçëm, i cili ngrihet në funksion të ligjit më të ri të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë sa i përket përkujdesjes së fëmijëve, të cilët kanë humbur prindin e tyre në krye të detyrës.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu tha sot pas mbledhjes së qeverisë se “parlamenti shqiptar ka miratuar në muajin nëntor 2021 ligjin për fëmijët në përkujdesje të Republikës dhe për ta jetësuar këtë ligj ngrihet një komision i posaçëm i përbërë nga përfaqësues të ministrive dhe nga organizatat që mbrojnë të drejtat e fëmijëve për të filluar punë menjëherë me të gjithë procedurat në zbatim të këtij ligji”.

Sipas Manastirliut, është një ligj që mbështet fëmijët në shumë dimensione, në paketën e plotë të mbështetjes financiare, me pagën maksimale të prindit që ka humbur jetën në krye të detyrës duke u vetësakrifikuar, duke u siguruar fëmijëve mbështetje sociale, në arsimim dhe përkujdes në të gjithë aspektet.

“Ky është një ligj që jetësohet përmes ngritjes së këtij komisioni që do të marrë menjëherë në shqyrtim aplikimet sipas procedurave standarde dhe vendosjes menjëherë të dhënies së këtij statusi, “Fëmijë në përkujdesje të Republikës së Shqipërisë” dhe duke plotësuar gjithashtu edhe mbështetjen e të gjithë atyre që kanë përfituar statusin e “Dëshmorit të Atdheut”, tha Manastirliu.

/k.s/j.p/