Mbi 100 të vdekur nga përmbytjet në Europë, Ministria e Mbrojtjes apel qytetarëve në Shqipëri

0
167

Nisur nga përmbytjet në Gjermani dhe disa shtete të tjera të Europës, Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri ka njoftuar se në 5 ditët e ardhshme do të jetë reshje lokale që mund të jenë me vërshime uji dhe shkarkesa elektrike. Ajo nënvizon se situata në vendin është normale dhe nuk ka ngjashmëri me situatën katastrofike në vendet e Europës.

“Duke vlerësuar situatën e ndodhur në Evropën Juglindore dhe informacionet e mara mbi ndikimin që mund të kenë kushtet e motit edhe në vendet e tjera pranë, Instituti i Gjeoshkencave Energjisë Ujit dhe Mjedisit njofton se gjatë 5 ditëve të ardhshme në Shqipëri parashikohet një mot me reshje lokale që mund të jenë me vërshime uji të shkurtra dhe shkarkesa elektrike kryesisht në zonat malore.

Theksojmë se situata që pritet në vendin tonë është normale për tipin e reshjeve me shtrëngata në stinën e nxehtë dhe nuk ka ngjashmëri me situatën katastrofike e cila kaloi në vendet e Europës.

Për menaxhimin sa më të mirë të çdo situate të mundshme emergjente që mund të vijë si pasojë e kushteve jo te favorshme të motit, Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të bashkërendojë dhe koordinojë të gjitha fazat për përballimin e emergjencave civile.

Janë aktivizuar në gjendjen e gatishmërisë të gjitha strukturat dhe kapacitetet e emergjencave civile, në nivel qëndror dhe vendor për zbatimin e planeve në rastet e përmbytjeve. Kujtojmë edhe njëherë që në vendin tonë kushtet e motit të parashikuara gjatë javës nuk do të kenë pasoja negative të përmasave madhore”, thuhet në njoftim.

Në shtetet e Europës të përfshira nga përmbytjet numri i viktimave deri më tani ka shkuar në 120 ndërkohë që më dhjetëra persona rezultojnë të zhdukur. m.v/abcnews.al