Mbi 2 miliardë euro në fushë, vlera e lojtarëve të Realit dhe Barcelonës

0
39

Reali dhe Barcelona do të përballen sonte në mbrëmje në një ndeshje që duhet të jetë kryefjala e javës.

Dueli premton emocione të forta dhe praninë e disa prej futbollistëve më të mirë në botë, me një formacion të drejtuar nga Lamin Jamal, Vinicius, Levandovski dhe Mbape.

Në fushë do të përballen dy nga skuadrat me vlerën më të lartë në treg sot për sot.

Vlera në treg e skuadrës së Realit të Madrid shkon në 1,359 miliard euro, sipas portalit “Transfermarkt”, që e bën skuadrën e bardhë në krye të këtij klasifikimi. Vinicius (200 milionë), Mbape (180), Bellingam (180) dhe Fede Valverde (130) janë lojtarët më të shtrenjtë në listën e bardhë.

E rigjallëruar nga një sezon mjaft i mirë në La Liga dhe në Ligën e Kampioneve, vlera e tregut të Barçës së Hansi Flikut aktualisht po i afrohet 1 miliard eurove.

Totali i 26 lojtarëve të Barçës, me një moshë mesatare 24.6 vjeç, është 944 milionë euro, sipas portalit të specializuar “Transfermarkt”.

Lojtari më i vlerësuar në skuadrën aktuale të Barçës është Lamin Jamal, i cili arrin shifrën e 150 milionë eurove. Vlera e tij është rritur në mënyrë eksponenciale që nga shfaqja në futbollin e madh në moshën 16 vjeç. Gavi është i dyti me 90 milionë dhe Dani Olmo shfaqet me 60 milionë euro.