E nisur që prej datës 5 nëntor të burgosurit përjetë në Peqin mbyllën grevën e urisë pasi gjetën gjuhën e përbashkët me drejtorinë e përgjithshme të burgjeve dhe avokatin e popullit.
Ata dërguan një letër ministrit të Drejtësisë dhe kryeministrit ku i kërkonin rishikimin e mundësisë së lirimit të tyre me kusht kur kanë kryer 25 vite burgim. Për këtë, ata refuzuan ushqimin dhe hynë në grevë urie, ndërsa ministria e Drejtësisë së bashku me Avokatin e Popullit pranuan shqyrtimin e kësaj kërkese brenda tre muajve afat, i cili pritet të paraqitet dhe në Kuvend.
Mësohet se nga ana e grupit të negociatorëve, të përbërë me juristë të dërguar nga ana e Ministrisë së Drejtësisë, është pranuar që këto kërkesa të merren në shqyrtim.
Të dënuarit kërkojnë përafrimin e ligjit me atë Europian, ndërsa shprehen se punësimi si mjeti më i fuqishëm për riintegrimin dhe riedukimin mungon. Ata shkruajnë në letrën drejtuar institucioneve shqiptare se bibliotekat që ishin në klasat e sektorëve u shkatërruan dhe jo pa qëllim. Shkollimi mungon, çdolloj aktiviteti mungon, përveçse një herë në 2 javë loja e futbollit dhe një herë në javë mësimi i fesë. Pakënaqësi ka dhe në ofrimin e së njëjtit ushqim në këtë burg për 365 ditë të vitit. Në mbyllje, ata kërkojnë dhe mundësinë e lejes si të drejta njerëzore dhe legjitime.