Mbyllet raundi i parë i regjistrimeve në universitete

0
66

Në përmbyllje të raundit të parë të regjistrimeve kanë mbetur më pak se 4000 mijë maturantë të cilët pritet t’i nënshtrohen raundit të dytë, për të plotësuar kuotat e mbetura bosh.

Sipas të dhënave nga Rrjeti akademik Shqiptar, degët që janë ezauruar 100 përqind në Tiranë janë Mjekësia e Përgjithshme, Stomatologjia dhe Farmacia.

Ndërsa dega e Infermierisë në Universitetin e Durrësit është drejt plotësimit në masën 100 përqind, degë e cila në universitetin e Shkodrës i ka plotësuar të gjitha kuotat.

Fakulteti i Arkitekturës nuk ka më asnjë vend të mbetur bosh, ndërsa shumë pranë ezaurimit është dega e Informatikës, e cila ka plotësuar 99 përqind të kuotave të saj.

Në rrethe, plotësimi i kuotave ka shkuar në 50 përqind, ku kandidatët do kenë më shumë shanse në raundin pasardhës.

Shpresa ka edhe për maturantët të cilët nuk janë fitues në raundin e parë, të cilët mund të aplikojnë në raundin e dytë brenda tre ditëve nga 19-21 shtator, ku më 26 shtator do të jenë shpallur fituesit, që kanë të drejtë të regjistrohen deri në 7 tetor, datë kur nis edhe viti i ri akademik.

Nëse do të ketë të penduar për fakultetin ku janë regjistruar, mundësia e fundit e ç’regjistrimit do të jetë nga 8-9 tetor dhe një fazë e lirë do të hapet nga 10-25 tetor për të gjitha fakultetet ku kanë mbetur kuota të paplotësuara.

Këtë vit, programet 2-vjeçare fituan epërsi krahasuar me një vit më parë gjatë fazës së aplikimeve, ku janë regjistruar edhe maturantë mbi mesataren 6.5.