“Mbyllja e Dashurisë” hap festivalin e Teatrit në Elbasan

0
220

“Mbyllja e Dashurisë” (“Clôture de l’amour”) ishte shfaqja e parë e cila hapi edicionin e 22-të të Festivalit Skampa. Një shfaqje magjike e sjellë me inteligjencë nga Eric Vigner nën interpretimin plot jetë të Luiza Xhuvanit dhe Vasjan Lamit.

E konceptuar në formën e dy monodramave, me një tekst të shkëlqyer nga Pascal Rambert, kjo dramë e dashurisë së shteruar kishte në qendër dy personazhe që edhe në jetën reale ishin aktorë.

Pikërisht aty, në skenë, ata kishin vendosur të flisnin për herë të fundit për ndarjen, të flisnin për të kaluarën dhe të tashmen e tyre.

Regjisori Eric Vigner
I lindur në Rennes të Francës, Eric Vigner është aktor, regjisor dhe skenograf në teatër e opera.

I motivuar nga dëshira për të hulumtuar gjithmonë e më shumë në fushën e artit skenik, ai ka realizuar rreth 40 vepra teatrore dhe operistike, si brenda edhe jashtë Francës, duke u renditur ndër regjisorët e shquar të teatrit bashkëkohor. Me talentin dhe suksesin e tij ka arritur të hyjë edhe në repertorin e Comédie-Française.

Ai është gjithashtu pjesë e Konservatorit Kombëtar Superior të Artit Dramatik në Paris, si profesor i arteve plastike. Vigner ka qenë për 20 vjet drejtor i CDDB-Theatre Lorient, Qendër Kombëtare e Artit Dramatik që prej vitit 1996.
Kjo është vepra e tretë që ai ngjit në skenën shqiptare, pas dy bashkëpunimeve të suksesshme me Teatrin Kombëtar : “Berberi i Seviljes” në vitin 2007 dhe “Lukrecia Borxhia” në vitin 2017./elbasaniflash