Indrit Bajraktari do të qëndroje në burg për vdekjen e 17 vjeçares Enisa Doda. Kështu vendosi Gjykata e Shkodrës në seancen e zhvilluar me dyer të mbyllura në orët e para të mëngjesit të së dieles (23 gusht).
Ashtu siç kishte deklaruar në polici, Indrit Bajraktari ka sqaruar në Gjykatë të gjithë ngjarjen e 19 gushtit në Velipojë ku mbeti e mbytur 17-vjeçarja Enisa Doda. Përpara trupës gjykuese, 25 vjeçari ka deklaruar se është rrëzuar bashkë me adoleshenten nga motori i ujit dhe nuk mbante mend çfarë ka ndodhur.
Sipas dëshmisë së dhënë, ai tha se ka qëndruar pa ndjenja në ujë dhe pasi është përmendur ka tentuar të dalë me not. E vetmja përplasje në versionin e dhënë është nëse ai ka qëndruar apo jo 40 minuta pa ndjenja, pasi prokurorja e çështjes e ka në dosje të shënuar kështu, por avokati mbrojtës rrëzon kohën, thjesht sqaron se janë disa minuta pa dhënë përcaktim. Me tej i riu ka sqaruar se rrugës në kthim 25- vjeçari tha se ka hasur një tjetër çift me motorskaf dhe ata i thanë se po njoftonin pronarët e motorskafeve. Për më tepër ai theksoi se nuk e e dinte se si çelesi i mjetit ka përfunduar në qafën e vajzës por nuk e shpjegon dot se si.
Indrit Bajraktari ka sqaruar se Enisa Dodën e njihte prej motrës së saj që jeton në Angli, dhe mendoi se ajo ishte 18 vjeçe prandaj dhe dolën me motor uji në Velipojë. Në përfundim të dëshmisë së tij avokati mbrojtjes Bledar Shanaj kërkoi arrest shtëpie për klientin e tij duke qenë se ngjarja ka qenë aksidentale. Por prokurorja e çështjes Françeska Lekani duke ju referuar akuzave të ngritura asaj të vrasjes nga pakujdesia dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës kerkoi lënien në burg të të riut.
Si ndodhi ngjarja
Rreth orës 14:00 të 19 gushtit, Indrit Bajraktari së bashku me adoleshenten 17-vjeçare kanë hyrë në det me motor uji që e kishin marrë me qera në zonën e Vilunit.
Dy orë e gjysmë më pas djali, i cili kishte vite që jetonte në Angli dhe ishte kthyer për pushime ka dalë në breg të detit i vetëm pa motorin e ujit dhe pa vajzën.
Fillimisht kanë qenë vetë pronarët e motorit të ujit që kanë nisur kërkimet për mjetin e tyre pasi kishte kaluar orari i caktuar i marrjes me qera.
Më pas është konstatuar që 25 vjeçari ka dalë në breg ndërsa vajza jo. Ndërsa një peshkatar gjeti trupin e pajetë të adoleshentes në ujë, 700- 800 metra larg bregut.
Ora news