NGJARJA
Ngjarja për të cilën akuzohet Leka, ka ndodhur kur ai ishte 22 vjeç dhe punonte si murator. Më 23 gusht 2005, kambisti Agim Sulo u qëllua për vdekje në Shijan të Delvinës. Vëllai i tij Pëllumb Sulo, i cili ishte prezent dhe ndaj të cilit u qëllua gjithashtu, por nuk u godit, shkoi menjëherë në polici dhe denoncoi krimin. Po atë ditë policia bëri këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe gjeti dy gëzhoja në tokë. Gjatë kontrollit që u krye të nesërmen, policia gjeti një tjetër gëzhojë. Më 23 dhe 24 gusht 2005, policia mori në pyetje Lekën për të vendosur marrëdhënien e tij me Agim Sulon, sepse te ky i fundit ishte gjetur një shënim me numrin e telefonit të Lekës. Në kohën kur u bë marrja në pyetje Leka nuk ishte ende i dyshuar dhe ai nuk bëri asnjë deklarim që e inkriminonte gjatë pyetjes. Ai u pyet vetëm nëse e njihte Agim dhe Pëllumb Sulon dhe u përgjigj se nuk i njihte. Më 24 gusht 2005, prokuroria, si masë urgjente përgjimi të fshehtë, vendosi një aparat dëgjimi në dhomën e pritjes të policisë së Sarandës dhe siguroi një regjistrim të bisedës mes kërkuesit dhe vëllait të tij N. Leka, që zbuloi se i dyshuari i kishte thënë se ai e kishte vrarë Agim Sulon dhe më pas kishte shkuar në Sarandë, ku kishte dalë në det me një varkë dhe e kishte hedhur armën në drejtim të “Grand Hotel” në Sarandë. Prokuroria më pas i kërkoi Gjykatës së Rrethit Sarandë vleftësimin e masës së përgjimit të fshehtë dhe kjo u miratua më 28 gusht 2005. Policia e arrestoi Durim Lekën më 27 gusht 2005 dhe ai u mor në pyetje nga prokurorët po atë ditë. Leka tha se do të bënte deklarimin pa avokat dhe do të vendoste më vonë nëse do të kishte avokat. Ai pranoi që kishte vrarë Agim Sulon dhe kishte qëlluar ndaj Pëllumb Sulos. Ai tha se i duheshin para për dasmën e motrës së tij, të cilat nuk i kishte. Më 23 gusht 2003, rreth mesditës, ai kishte takuar Sulon, një tregtar i këmbimit valuator në Sarandë dhe i kishte kërkuar të këmbente 8000 euro për lekë shqiptare, edhe pse ai nuk i kishte ato para dhe në fakt synimi i tij ishte t’i merrte lekët nga kambisti pa i dhënë asnjë euro në këmbim. Ishte rënë dakord që Agim Sulo të çonte lekët në fshatin Shijan, ku banonte Leka. Rreth orës 17.30 Leka kishte telefonuar Agim Sulon dhe i kishte thënë ta takonte në Shijan në anë të një rruge. 22-vjevari Leka kishte marrë me vete një armë që kishte në shtëpi me qëllim që të trembte Agim Sulon dhe t’i merrte paratë. Sulo kishte mbërritur me motorr me vëllanë e tij Pëllumbin. Vrasësi u kishte thënë se nuk i kishte paratë me vete, por ata duhej të shkonin në shtëpinë e tij. Ai i kishte çuar në një shtëpi të braktisur dhe, kur kishin mbërritur atje, Leka kishte nxjerrë armën dhe i kishte kërkuar paratë Sulos. Kambisti po shkonte drejt vrasësit kur ai nxori armën dhe qëlloi. Vëllai tij filloi të vraponte dhe leka qëlloi dy herë në drejtim të tij, por nuk e kapi. Menjëherë vëllai i autorit, i cili kishte dëgjuar të shtënat, mbërriti në vendngjarje ku gjeti Agim Sulon të shtrirë në tokë, të gjakosur dhe që kërkonte ndihmë. Ambulanca mbërriti shpejt, por kambisti Sulo vdiq rrugës për në spital. Po atë ditë, në orën 18.00, u zhvillua një paraqitje për njohje ku, përveç Durim Lekës, ishin paraqitur edhe dy persona të tjerë. Leka kishte veshur një këmishë të errët me mëngë të gjata, ndërsa dy personat e tjerë të paraqitur për njohje mbanin veshur këmisha të bardha me mëngë të shkurtra. Pëllumb Sulo, si dëshmitar, u ftua fillimisht të përshkruante personin që kishte qëlluar vëllanë e tij. Në fillim ai bëri një përshkrim të hollësishëm të personit, 1,70 m i gjatë, i hollë, me fytyrë të gjatë, kuqalash me quka në faqe, vetulla kafe në të verdhë, flokë bionde të errët, zë të hollë, të folur të pastër, pa asnjë dialekt. Gjatë paraqitjes për njohje, pjesëmarrësve iu kërkua të ndërronin vendet tri herë. Çdo herë, Pëllumb Sulo identifikoi Durim Lekën si autorin e krimit.Akt ekspertimi i datës 30 gusht 2005 i hartuar nga Laboratori Qendror i Hetimeve Penale konkludoi se dy gëzhojat kishin dalë nga një armë zjarri, përkatësisht një pistoletë T. T model 54. Arma nuk u gjet asnjëherë. Leka u pyet përsëri nga prokurori më 14 dhe 22 shtator 2005. Në procesverbalin e marrjes në pyetje thuhet se Leka u informua për të drejtën e tij për t’u ndihmuar nga një avokat Ai deklaroi se ishte vënë në dijeni të akuzave dhe se do të bënte deklarimin pa avokat dhe se do të vendoste më vonë nëse do të kishte avokat. Ai nënshkroi procesverbalin pa asnjë koment. Më 14 shtator 2005 kërkuesi shpjegoi se kishte marrë një varkë me pedale nga Saranda në det dhe kishte hedhur armën në det në drejtim të “Grand Hotel” në Sarandë. Në një vendim të datës 9 dhjetor 2005, Gjykata e Rrethit Sarandë e shpalli Durim Lekën fajtor për vrasjen e dy ose më shumë personave në rrethana të tjera cilësuese dhe tentativën për vrasje të një personi dhe për armëmbajtje pa leje dhe e dënoi me burgim të përjetshëm.