Tre persona kanë përfunduar në prangat e policisë, në dy operacione të ndryshme të zhvilluara në Qarkun e Lezhës.
Një operacion i koduar “Repsi” arrestoi në flagrancë dy vëllezër, të cilët sipas policisë po përgatiteshin të kryenin një ngjarje kriminale.
Në pranga përfunduan Besnik Gjoka dhe Prengë Gjoka. Ndërkaq, një operacion i koduar “Fani” bëri të mundur arrestimin e shtetasit, Nikollë Karaqi pasi posedonte armë zjarri kallashnikov.
Njoftimi:
Strukturat e DVP Lezhë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme në fushën e armëmbajtjes pa leje, të zhvilluara në kuadër të megaoperacionit policor mbarëkombëtar të koduar “Sundimi i ligjit”, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë finalizuar 2 operacione për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe kanë goditur një rast të mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit, në banesë.
-Në Rrëshen, në kuadër të operacionit “Repsi”, bazuar në informacionet e siguruara se 2 shtetas qarkullonin me armë dhe dyshohet se do të kryenin një ngjarje kriminale kundër personit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë dhe kanë kapur në flagrancë, në hyrje të Rrugës së Kombit, shtetasit B. Gj. dhe P. Gj. Gjatë kontrollit fizik, këtyre shtetasve iu gjetën 1 armë zjarri kallashnikov me fishekë në fole gati për qitje dhe 1 armë zjarri pushkë.
-Gjithashtu, në Rrëshen, në kuadër të operacionit “Fani”, bazuar në informacionet e siguruara se një shtetas që posedonte një armë zjarri kallashnikov, mund të kryente një ngjarje kriminale kundër personit, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë dhe kanë ndaluar shtetasin N. K., si dhe kanë sekuestruar armën e zjarrit kallashnikov që ai posedonte, bashkë me 11 krehra dhe municion luftarak.
-Në Kurbin, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore se shtetasi T. Gj. mbante armë zjarri në banesë, shërbimet e Policisë kanë ushtruar kontroll në banesën e tij, ku kanë gjetur 1 armë zjarri pushkë dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve procedurale për këto raste:
-nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mirditë u arrestuan në flagrancë shtetasit: B. Gj., 39 vjeç (i dënuar më parë për veprën penale “Dhuna në familje”) dhe P. Gj., 29 vjeç (vëllezër), të dy banues në fshatin Zall Xhuxhë, Mirditë; N. K., 66 vjeç, banues në fshatin Petoq, Mirditë;
-nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin janë referuar materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin T. Gj.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.