Një tragjedi ka goditur Italinë, me një familje shqiptare me katër anëtarë të cilët kanë humbur jetën pasi janë helmuar nga gazi i monoksidit të karbonit.Arti Kola, 48 vjeç, Jonida Kola, 43 vjeçe, djali i tyre, Hajdar, 22 vjeç dhe vajza, Xhesika, më e vogla e familjes, 15 vjeçe, të cilët janë me origjinë nga qarku i Elbasanit.
Mediat italiane raportojnë se sipas autoriteteve, ishte pikërisht vëllai i kryefamiljarit ai që ngriti alarmin, pasi familja nuk po u përgjigjej telefonatave. Pasi mbërritën në shtëpinë trekatëshe dhe nuk morën përgjigje, ai dhe dy oficerë të karabinierëve hynë me forcë brenda, ku u përballën me një skenë të rëndë: katër trupat e pajetë të shtrirë në dysheme.
Ngjarja mendohet të ketë ndodhur rreth orës së darkës. Kur ekipet e shpëtimit hynë në banesë, gjetën tryezën të shtruar, çka tregon se familja ishte përgatitur për të ngrënë. Dy karabinierët që ndërhynë për ndihmën e parë pësuan gjithashtu shenja të lehta helmimi, por fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkaqet e sakta të rrjedhjes së monoksidit të karbonit dhe për të verifikuar gjendjen e sistemit të ngrohjes në banesë.


