Shqiptarët, janë ata që përjetojnë më shumë trishtim, stres e dhimbje fizike se gjithë vendet e tjera të Ballkanit, sa i përket pesë përvojave negative.
Nga ana tjetër, pas Kosovës, jemi ata që përjetojmë më shumë kënaqësi, ndjesi çlodhje, buzëqeshim më shumë e trajtohemi me më shumë respekt.
Të dhënat u bënë të ditura në raportin e Gallup Global Emotions 2024, i cili ofron një pamje të matjeve më të fundit të përvojave pozitive dhe negative të përditshme të njerëzve. Gjetjet bazohen në afro 146,000 intervista me të rritur, në 142 vende dhe zona në vitin 2023.
Indekset e përvojës pozitive dhe negative të Gallup-it, matin gjërat e paprekshme të jetës – ndjenjat dhe emocionet — që treguesit ekonomikë tradicionalë si PBB-ja, nuk arrijnë t’i pasqyrojnë. Çdo indeks ofron një fotografi në kohë reale e përvojave të përditshme të njerëzve, duke u ofruar udhëheqësve njohuri mbi shëndetin e shoqërisë, që nuk mund t’i mbledhin vetëm nga treguesit ekonomikë.
A i keni përjetuar ndjenjat e mëposhtme gjatë një pjese të madhe të ditës së djeshme? Ja si u përgjigjën të anketuarit shqiptarë:
24 për qind e shqiptarëve pohuan se një ditë më parë përjetuan zemërim, ndërsa 74% jo
29% u ndjenë të trishtuar, 70% nuk përjetuar trishtim, 1% refuzoi të përgjigjet.
49% përjetuan stres në ditën pararendëse, 50% jo, 1% refuzoi të përgjigjet.
40% ishin të shqetësuar, 60% jo
46% e të anketuarve ndjen dhimbje fizike një ditë më parë, ndërsa 53 për qind jo, 1 %refuzoi të përgjigjet. (më të lodhurit në rajon)
68 për qind e të anketuarve përjetuan kënaqësi, 31% jo, 1% refuzuan të përgjigjen
65% u ndjen të çlodhur, 34% jo, 1 % refuzuan
Mësuat apo bëtë diçka interesante
35% mësuan apo bën diçka interesante, 65% jo, 1% refuzuan
74% kanë arritur të buzëqeshin, 25% jo, 1 % kanë refuzuar të përgjigjen
92% u trajtuan me respekt, 7% jo, 1% refuzuan.
Në Europë më të stresuarit janë grekët, më pak të zemëruar janë finlandezët dhe portugezët, më pak të mërziturit janë shtetasit e Kosovës dhe të Polonisë.
Bota u përfshi nga konflikti në vitin 2023 – ndërsa lufta midis Ukrainës dhe Rusisë vazhdoi dhe një e re shpërtheu mes Izraelit dhe Hamasit – por ishte mirë emocionalisht sesa në kulmin e pandemisë.
Emocionet negative u ulën për herë të parë në një dekadë, dhe emocionet pozitive u kthyen në nivelet para pandemisë.
Ulet indeksi i përvojave negative
Në nivel global, Indeksi i Përvojave Negative të Gallup ra për herë të parë që nga viti 2014. Të pesë emocionet negative që përbëjnë indeksin, ranë midis 2022 dhe 2023, ku stresi shënoi rënien më të madhe.
Tridhjetë e shtatë për qind e të rriturve në mbarë botën, u ndjenë të stresuar në vitin 2023, tre pikë përqindje më poshtë se vitin e kaluar, por shumë më lart se ku ishte një dekadë më parë (33%) dhe vitet para kësaj.
Guinea dhe Izraeli udhëheqin në përvoja negative
Afganistani nuk shënon më pikët më të këqija në Indeksin e Përvojës Negative. Guinea, e cila vazhdon të
përballet me pasigurinë, pas një grusht shteti ushtarak në 2021, shënoi pikën më të lartë në botë në indeksin e vitit 2023, 53 pikë. Stresi u rrit në nivele rekord në Guinea, duke u rritur me 10 pikë midis 2022 dhe 2023.
Izraeli, të cilin Gallup e anketoi dy javë pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor, fitoi një vend në këtë listë për herë të parë, me një rezultat 47 pikë – në të njëjtin nivel me Afganistanin dhe Liberinë. Në vitin 2022, Izraeli u rendit ndër vendet me rezultatet më të ulëta në botë në këtë indeks.
Rezultati i indeksit të Izraelit, u përkeqësua nga rritjet në nivel rekord të emocioneve negative, si pasojë e sulmeve. Shumica e izraelitëve përjetuan shqetësim (67%), stres (62%) dhe trishtim (51%) në mënyrë të paprecedentë. Mbi një në tre izraelitë (36%), thanë se përjetuan shumë zemërim – jo një nivel i ri, por ende përqindja më e lartë, që nga viti 2013.
Rimëkëmbet plotësisht indeksi i përvojave pozitive
Duke përforcuar më tej, se 2023 ishte një vit më i mirë për shëndetin emocional të botës, përvojat pozitive u kthyen në nivelet para pandemisë, teksa përmirësimi kishte nisur në 2022.
Njerëzit nën 30 vjeç vazhduan të ishin më pozitivët nga të gjitha grupmoshat. Më tej, pozitiviteti i tyre u rikthye më shpejt, me emocionet që arritën nivelet para pandemisë, një vit më herët se grupmoshat më të vjetra.
Pjesa më e madhe e përmirësimit të indeksit në vitin 2023, ndodhi tek ata të moshës 30 vjeç e lart.
Për gati dy dekada, përqindja e njerëzve në mbarë botën, që thanë se mësuan ose bënë diçka
Interesante, rrallë ka kaluar 50%. 54%, që e bënë këtë në 2023, përfaqëson një rekord të lartë.
India, Islanda, Greqia dhe Kina panë rritje dyshifrore në këtë tregues në vitin 2023.
Më shumë njerëz në të gjitha grupmoshat, thanë se i kishin këto mundësi në 2023, krahasuar me një vit më parë, por personat më të rinj se 30 vjeç, vazhduan të kenë më shumë gjasa ta thonë këtë (59%).
Përqindjet tek moshat më të mëdha gjithashtu arritën nivele të larta (54% për ata të moshës 30 deri në 49 vjeç dhe 50% për ata të moshës 50 vjeç e lart).
Afganistani pak më pak i zymtë, por ende më pak pozitiv në botë
Rezultatet e Indeksit të Përvojave Pozitive në mbarë botën, varionin nga 86 në Paraguaj dhe Panama, në një nivel të ulët 38, në Afganistan, i cili ka shënuar pikët më të ulëta në botë pothuajse çdo vit, që nga viti 2017.
Rezultati i Afganistanit në indeks, ishte pak më i lartë në 2023, sesa ishte në 2021 ose 2022 pas marrjes së pushtetit nga talebanët. Megjithatë, rezultati i tij prej 38, mbetet më i ulëti në botë dhe shumica e afganëve janë ende duke jetuar në mjerim. Sondazhet e Gallup treguan se afganët në përgjithësi, po e vlerësonin jetën e tyre aq dobët, sa konsideroheshin të vuajtur.
Pjesa më e madhe e përmirësimeve të kufizuara të kohëve të fundit, në emocionet pozitive, ka ndodhur te meshkujt afganë. Në vitin 2023, burrat afganë shënuan 42 në indeks, krahasuar me 34 për gratë afgane.
Afganistani është renditur si vendi më pak pozitiv në botë, çdo vit që nga viti 2017, përveç vitit 2020, kur Gallup nuk mundi të vëzhgonte vendin, për shkak të pandemisë. Pas rënies në një nivel të ulët rekord global nga 32 në 2021, rezultatet janë rritur çdo vit, duke arritur në 38 në 2023.
Mbi një në pesë të rritur në mbarë botën ndjehen të vetmuar
Duke pasur parasysh kërcënimin thelbësor, që paraqet vetmia dhe izolimi për shëndetin dhe mirëqenien e njerëzve, Gallup kohët e fundit ka shtuar ‘vetminë’, në listën e emocioneve negative, për të cilat pyet botën.
Një analizë e marrëdhënieve midis vetmisë dhe emocioneve të tjera, zbulon se njerëzit, që thanë se ndjeheshin të vetmuar, kishin më pak gjasa të përjetonin emocionet pozitive.
Matja fillestare e Gallup në vitin 2023, tregoi se mbi një në pesë të rritur në mbarë botën (23%), raportuan ndjenja vetmie gjatë shumë ditëve. Megjithatë, përvojat e vetmisë varionin gjerësisht në botë, nga niveli më i lartë prej 45% në kombin ishullor të Komoros, në një nivel më të ulët prej 6% në Vietnam./Monitor