Meksika filloi dislokimin e 10,000 trupave në kufirin me Shtetet e Bashkuara të hënën, siç u premtua në këmbim të pezullimit të kërcënimit të Uashingtonit për të vendosur tarifa 25% ndaj produkteve meksikane, njoftoi presidentja e saj Claudia Sheinbaum.
“Ne kemi filluar tashmë dërgimin (e ushtarëve),” tha presidentja meksikane gjatë konferencës së saj për shtyp.
Shtypi meksikan ka raportuar që nga mëngjesi për dislokimin e ushtarëve dhe pjesëtarëve të Gardës Kombëtare në qytete të ndryshme në kufi me Shtetet e Bashkuara, si Tijuana dhe Matamoros.
Agence France-Presse vëzhgoi gjithashtu rreth 300 ushtarë në aeroportin në Merida, në shtetin jugor të Jukatanit.
Të hënën, dy presidentët njoftuan pothuajse njëkohësisht se Shtetet e Bashkuara kanë pezulluar për një muaj zbatimin e detyrimeve doganore, të cilat pritet të rrisin me 25% çmimin e importeve nga Meksika duke filluar nga sot.
Në këmbim, Meksika u zotua të dërgojë 10,000 trupa në kufirin me Shtetet e Bashkuara “për të ndaluar rrjedhën e fentanilit (një opioid vdekjeprurës) dhe emigrantëve të parregullt” në SHBA./abcnews.al