Ministrja e Arsimit Evis Kushi është përpjekur të qetësojë prindërit e shqetësuar për zhvillimin me turne të procesit mësimor dhe me orë të shkurtuara.
Pas mbledhjes së qeverisë, Kushi informoi se u miratuan 2 vendime të rëndësishme në fushën e arsimit që kanë të bëjnë me mbështetjen financiare të studentëve ekselentë dhe bashkëpunimin ndërmjet universiteteve të Shqipërisë me ato të Spanjës.
Kushi: “Miratuam 2 vendime të rëndësishme në fushën e arsimit. Vendimi i parë lidhet me disa ndryshime në vendimin ekzistues të Këshillit të ministrave të vitit 2020 që lidhet me mbështetjen financiare nga fondi i ekselencës për studentët ekselentë dhe për punonjësit civilë. Këto ndryshime erdhën të nevojshme për shkak të problematikave që kishin hasur studentët tanë që studiojnë në Universitetet e huaja. Konkretisht për shkak të situatës së pandemisë në shumë universitete u aplikuan disa metoda vlerësimi ndryshe nga ato tradicionalet. Për të mos i penalizuar këta studentë ne vendosëm të shtojmë edhe këto raste kur në situata siç ishte situata e pandemisë të përfshihen dhe të përfitojnë nga busra e ekselencës. Studentët ekselentë do të kenë mbështetjen tonë.
Vendimi i dytë lidhet me miratimin e memorandumit të mirëkuptimit për bashkëpunim në fushën e arsimit të lartë midis Shqipërisë dhe Spanjës. Në këtë kuadër ne synojmë të nxisim një bashkëpunim më të ngushtë të universiteteve shqiptare me universitete më të mira të Spanjës.
Përsa i përket mësimit me turne, Kushi u shpreh se ky nuk është një vendim përfundimtar i cili do të zbatohet gjithë vitin, por është në përputhje me situatën pandemike në të cilën ndodhet vendi.
Kushi: “Unë i mirëkuptoj të gjithë prindërit që janë të shqetësuar, për kohëzgjatjen e orës mësimore apo për turnet që ne jemi të detyruar t’i aplikojmë në disa shkolla të vendit për shkak të udhëzuesit të ministrisë së Shëndetësisë. Jemi ende në betejë me Covid-19 dhe për këtë arsye një nga rregullat që duhet të zbatojmë është distanca. Në ato shkolla ku numri i nxënësve është i lartë dhe nuk e lejon distancën e parashikuar nga mësuesi jemi të detyruar të zbatojmë turnet dhe klasa mos ketë më shumë se 15 nxënës. Kjo do të rrezikonte përhapjen e infeksionit. Ky nuk është vendim përfundimtar që do të aplikohet për gjithë vitin shkollor. Për momentin jemi të detyruar ta zbatojmë.”