Ministria e Arsimit publikoi sot datat e provimeve kombëtare të arsimit bazë për vitin shkollor 2025-2026.
Provimi i Gjuhës Shqipe do të zhvillohet më 19 qershor, Gjuha Amëtare për nxënësit e pakicave kombëtare më 22 qershor, Matematika më 25 qershor dhe Gjuha e huaj më 30 qershor.
Gjuhët e huaja që do të jepen si provim i detyruar janë Anglisht, Frëngjisht, Italisht dhe Gjermanisht.
Testi i gjuhës së huaj hartohet në përputhje me gjuhën, e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm të ulët, trajtohet si gjuhë e huaj e detyruar në nivelin gjuhësor A2.
Nxënësit e klasave të 9-ta të shkollave mbështetëse të seksioneve dygjuhëshe franceze, italiane dhe gjermane japin provim gjuhën përkatëse të seksionit në nivelin gjuhësor A2.
Nxënësit me aftësi të kufizuar që ndjekin shkollat e zakonshme, i zhvillojnë provimet kombëtare të arsimit bazë, sipas përcaktimeve në rregulloren për zhvillimin e provimeve kombëtare të arsimit bazë.
Provimet fillojnë në orën 10:00 dhe çdo provim zgjat 2 orë e 30 minuta.


