Presidenti Ilir Meta ka dekretuar lirimin e katër ambasadorëve. Mes tyre është edhe vajza e Ismail Kadares, Besiana Kadare e cila ka shërbyer si ambasadore e Shqipërisë në SHBA.
Gjithashtu, janë liruar nga detyra Arian Spasse, Ambasador në Hungari, Albana Dautllari, pranë Këshillit të Evropës, në Strasburg dhe Ferit Hoxha, pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork.
Sakaq, janë bërë me dije edhe detyrat e reja të diplomatëve. Besiana Kadare është emëruar pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO).
Dastid Koreshi u emërua Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Këshillit të Evropës.
Ferit Hoxha, u emërua Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork,
Njoftimi i plotë:
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, në mbështetje të nenit 92, shkronja “dh”, nenit 93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 26, pika 2, të ligjit nr. 23/2015 “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozim të Kryeministrit, ka dekretuar, disa lirime të Ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë në shtete të tjera dhe organizata ndërkombëtare.
Konkretisht:
– Zoti Arian Spasse, u lirua nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Hungarisë, rezident.
– Zonja Albana Dautllari, u lirua nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Këshillit të Evropës, në Strasburg, rezident.
– Zonja Besiana Kadare, u lirua nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork, rezident, dhe ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë, në Republikën e Kubës, jorezident.
– Zoti Ferit Hoxha, u lirua nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), rezident.
Detyrat e reja:
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, në mbështetje të nenit 92, shkronja “dh”, nenit 93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 26, pika 2, të ligjit nr. 23/2015 “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozim të Kryeministrit, si dhe pas administrimit të opinioneve të Komisionit për Politikën e Jashtme për kandidaturat e propozuara, përcjellë nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 29.09.2021, ka dekretuar, disa emërime të disa Ambasadorëve të Republikës së Shqipërisë në shtete të tjera dhe organizata ndërkombëtare.
Konkretisht:
– Zoti Dastid Koreshi u emërua Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Këshillit të Evropës, në Strasburg, rezident.
– Zonja Besiana Kadare, u emërua në detyrën e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukimin, Shkencën dhe Kulturën (UNESCO), rezident.
– Zoti Ferit Hoxha, u emërua Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork, rezident, dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë, në Republikën e Kubës, jorezident.
g.v/abcnews.al