“Mezor e pranuan burrin, e kam me gjysmë mushkërie”, përlotet gruaja në Infektiv: Ja pse na dëbuan nga spitali “Shefqet Ndroqi”, dëgjojmë shumë thashetheme

0
201

Tashmë nuk mund të fshihet më situata e rënduar në spitale, kur për të tretën ditë me radhë pacientët janë të detyruar që të mjekohen fillimisht në ambulancë, sapo të gjendet një vend për ta në spitalin Infektiv, ku veç të tjerave drejtohen dhe të gjitha urgjencat që vijnë nga qarqet e jugut të vendit.

Në oborrin e infektivit qendrojnë dhjetra familjarë, që presin të marrin vesh gjendjen e të afërmve të tyre, ndërkohë që vazhdimisht thuhet se mungon informacioni, ndërkohë që tashmë para dyerve të spitalit shihen më tepër se kurrë ambulanca.

“Kam shtruar mbrëmë mamin, dhe pa terezi ka qenë çështë e vërteta, uroj që të bëhet më e mira, fluksi është i madh çështë e vërteta”, shprehet një qytetare.

“Kam burrin të shtruar, sot në mëngjes e kanë shtruar”, tregon një qytetare për gazetaren e Fax News, Fjona Çela.

Ndërkohë që një tjetër qytetare, shprehet se ka shtruar bashkëshortin në Infektiv, gjendja e të cilit ka qenë e rënduar për shkak se ka pasur dhe probleme të mëparshme me mushkërinë, dhe me zemrën.

Ajo tregon se fillimisht i kanë çuar në spitalin Covid 2, ku nuk i kanë pranuar, dhe më pas kanë pritur për minuta të tëra në Infektiv, pasi vendet janë të mbushura.

“Mezor e kanë pranuar burrin, e çuan te Shefqet Ndroqi, prej andej na dëbuan se ne jemi nga zona e jugut. Jam e shqetësuar se burri është me gjysmë mushkërie, edhe unazë ka, e kam pasur me oksigjen në shtëpi, pritëm mbi gjysëm ore këtu, tani nuk e di fare ça është bërë me të. Dëgjojmë shumë muhabete, dhe thashethemnaja, por shpresoj që të bëhet mirë”, shprehet ajo.

Vetëm dje në vendin tonë, infektimet me Covid u rritën në 14%, duke shënuar një rekord të ri prej 489 rastesh, ndërkohë që 6 persona humbën jetën. Tirana mbetet qyteti me rastet më të shumta, ndërkohë që sipas ekspertëve, tashmë kryeqyteti mund të konsiderohet pa frikë një zonë e kuqe, duke marrë parasysh numrin shumë të madh të vatrave të përhapjes së infeksionit.

(E.K/Faxweb.al)