Mihal Toshi bëri vrasjen e Ilir Rexhepit në Elbasan, për shpëtimin e vëllait nga burgu

0
2636

Mihal alias Mirgert Toshi, dyshohet se ka ekzekutuar biznesmenin Ilir Rexhepi për llogari të një grupi të fuqishëm kriminal në Elbasan, të cilët i kanë garantuar, se përmes lidhjeve të tyre në gjykatë, do paguanin për ti shpëtuar vëllain, Damiano Toshin.Në mënyrë që ky i fundit të mos dënohej nga Gjykata e Elbasanit.Marrëveshja e vdekjes mes Mihal Toshit dhe anëtarëve të grupit kriminal, dyshohet se është bërë vetëm me qëllimin, për të nxjerrë nga burgu Damiano Toshin, i cili prej vitit 2004 ishte arrestuar nga policia, për vrasjen e dyfishtë të dy basketbollistëve të “Skënderbeut” në Korçë, Sokol Jahollari, Rafael Riza dhe plagosur rëndë Julian Becka.

Mihal Toshi, që sot ndodhet në një burg të Selanikut i dënuar me 16 vite për drogë, ka pranuar ofertën e grupit kriminal, duke vrarë në 30 dhjetor 2011, biznesmenin Ilir Rexhepi.

Vrasja ka ndodhur një ditë para Vitit të Ri, ndërsa në këtë periudhë në gjykatën e Elbasanit, prokurori i çështjes kishte kërkuar dënimin me burgim të përjetshëm, për vëllain e Mihalit, Damiano Toshin dhe dënim të dy bashkëpunëtorëve të tij Vasi Strati dhe Gjergji Bregu.

Mihal Toshi, çoi deri në fund porosinë, duke vrarë Ilir Rexhepin, 18 ditë para se gjykata e Elbasanit të jepte dënimin për të vëllain, Damianon.

“Ora News” mëson se në 17 janar 2012 gjykata e Elbasanit ka dhënë vendimin për Damiano Toshin duke e dënuar këtë të fundit me burgim të përjetshëm, por për shkak të gjykimit të shkurtuar, Toshi u dënua përfundimisht me 25 vite burgim.

Sot e kësaj dite, Damiano Toshi, vuan dënimin në burgun e Drenovës.

Ndërsa grupi kriminal që i premtoi vëllait të tij për lirimin nga burgu në këmbim të vrasjes së Ilir Rexhepit, nuk bëri asgjë.

Autori i dyshuar i vrasjes së Ilir Rexhepit, Mihal Toshi, tashmë është shpallur në kërkim me vendim të gjykatës së Elbasanit.

Ai u identifikua nga gjurma e ADN-së pasi disa njolla gjaku të tij janë gjetur në vendin e ngjarjes, ku mbeti i vrarë Ilir Rexhepi. Ky i fundit ishte brenda në makinën e tij dhe po shkruante në telefon, kur tre persona, mes tyre Mihal Toshi, janë afruar dhe kanë qëlluar me armë.

Rexhepi, ka reaguar me pistoletën që mbante me vete, duke plagosur në krah njërin prej autorëve, Mihal Toshin, që tashmë është identifikuar.

Prokuroria dhe policia aktualisht janë duke kryer hetime për identifikimin e dy personave të tjerë pjesëmarrës në këtë vrasje dhe financuesve.