Miliona dollarë për “kokën” e tij, kapet lordi i drogës në Kolumbi, një polic i vrarë gjatë operacionit

0
204

Kapet trafikanti më i kërkuar i drogës në Kolumbi dhe kreu i bandës më të madhe kriminale në vend.

Dairo Antonio Úsuga, i njohur më mirë si Otoniel, u kap pas një operacioni të përbashkët nga ushtria, forcat ajrore dhe policia të shtunën.

Qeveria kishte ofruar një shpërblim prej 800,000 dollarësh për çdo informacion në lidhje me vendndodhjen e tij, ndërsa SHBA vendosi një shpërblim prej 5 milion dollarësh për “kokën” e tij.

Presidenti Iván Duque përshëndeti kapjen e Otoniel në një video mesazh televiziv.

“Kjo është goditja më e madhe kundër trafikut të drogës në vendin tonë këtë shekull,” tha ai.

“Kjo goditje është e krahasueshme vetëm me rënien e Pablo Escobar në vitet 1990.”

Otoniel u kap në provincën Antioquia në veriperëndim të Kolumbisë, afër kufirit me Panamanë. Ndërsa detajet e operacionit ende po dalin, presidenti tha se një oficer policie ishte vrarë.

Forcat e armatosura të Kolumbisë publikuan më vonë një foto që tregonte ushtarët e saj që ruanin Otonielin e prangosur.

Janë realizuar disa operacione të mëdha që kanë përfshirë mijëra oficerë për kapjen e 50-vjeçarit në vitet e fundit, por deri më tani asnjë nuk ka pasur sukses.