Miliona euro për pajisjen PEI/ Probleme me identifikimin elektronik të votuesve në të gjithë vendin

0
123

Kur ka kaluar një orë nga nisja e procesit të votimit në të gjithë vendin, në disa bashki të ndryshme raportohen problematikat e para sa i takon identifikimit elektronik.

Në Qarkun Shkodër raportohet se në rreth 80 qendra votimi ka probleme me pajisjen PEI të identifikimit elektronik.

Probleme me paisjen e identifikimit elektronik raportohen dhe në disa qendra votimi në Durrës, ku burime bëjnë me dije se ka nisur në mënyrë manuale me lista identifikimi i qyetarëve.

E njëjta problematikë është shfaqur dhe në Kavajë, ndërkohë që vonesa në nisjen e votimit ka pasur në disa qendra në qytetin e Vlorës.

Sa i takon Elbasanit, ku po ashtu do të votohet në mënyrë elektronike, në një qendër votimit në Lagjen Vullnetari, komisionerët nuk kanë pasur kodin e hapjes së materialeve zgjedhore, dhe për këtë shkak votimi ka nisur me vonesë.

Edhe në disa qendra të tjera ka probleme me ndezjen e pajisjeve.

Probleme me pajisjen PEI ka pasur dhe në Tiranë, ku në 2 prej 6 qendrave të votimit në shkollën “Dora d’istria” nuk ka nisur ende votimi.

Në QV 1980, nuk është paraqitur operatori i PEI, po në këtë qendër janë ngatërruar pajisjet PEI me një tjeter QV.

Edhe në Korçë, në 4 prej qendrave të votimit nuk ka nisur ende procesi për shkak se pajisja PEI nuk funksionon.