Për Beogradin vetoja që vendosi Rusia në Këshillin e Sigurimit në 2015 nga e cila Serbia do të shpallej shtet gjenocidal mjafton që të mos i bashkohet sanksioneve të perëndimit kundër Moskës, të cilat ministri i Brendshëm i Serbisë i quajti histeri.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandër Vullin i tha ambasadorit të Rusisë në Beograd se Serbia nuk do të bëhet pjesë e histerisë anti-ruse, duke iu referuar sanksioneve të perëndimit.
Vullin: Serbia nuk do të jetë kurrë pjesë e histerisë anti-ruse ku vidhet prona qytetarëve dhe shtetit rus, ashtu siç nuk do të ndalojmë mediet ruse, apo të dëbojmë fëmijët nga shkollat. Ne nuk kemi ndërmend të fshijmë gjuhën ruse, shkrimtarët apo shkencëtarët e teksteve shkollore.
Zëdhënësi i subkoshiencës së presidentit Vuçiç siç njihet ndryshe, Aleksandar Vulin tha se Beogradi ia ka borxh Rusisë veton që vuri në Këshillin e Sigurimit në vitin 2015 për masakrën e Srebrenicës, përmes së cilës Serbia mund të shpallej shtet gjenocidal.
Vullin: Serbia, e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiç, është një vend i pavarur dhe sovran që zgjedh miqtë e saj. Serbia nuk do të harrojë kurrë se Federata Ruse pengoi miratimin e një rezolute në vitin 2015 me veton e saj në Këshillin e Sigurimit, pas një marrëveshjeje midis dy presidentëve Vladimir. Putin dhe Aleksandar Vuçiç, për turp dhe për tallje të së vërtetës, populli serb do të shpallej populli i parë gjenocidal në historinë e botës.
Sipas Vullin qytetërimi botëror do të ishte shumë i varfër nëse do të hiqte dorë nga shkrimtarët dhe shkencëtarët rusë.
Vullin: Një qytetërim që do të largonte shkrimtarët rusë, shkencëtarët, luftëtarët apo që do të hiqte dorë nga ajo që populli i Rusisë i dha botës, do të ishte një qytetërim shumë i varfër. Ata që do të donin të fshinin Dostojevskin nuk kanë lexuar kurrë se bota nuk vlen sa lotët e fëmijëve, kështu që ata mund të bëjnë thirrje për vrasjen e fëmijëve rusë.