Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, është drejt shkarkimit nga posti, të cilin e mban prej 16 muajsh. Ai e mori detyrën në mënyrë surprizë në korrik të vitit 2024, teksa u rikonfirmua edhe në shtator 2025, në qeverinë “Rama 4”. Disa muaj pas këtij rikonfirmimi dhe pas prishjes së balancave brenda mazhorancës, ky zv.kryeministrja Belinda Balluku është marrë e pandehur, Vengu është drejt largimit nga posti.
Burime nga Këshilli i Ministrave i thanë redaksisë së VoxNews se ministri Pirro Vengu ka pasur përplasje të forta me kryeministrin Edi Rama. Ky i fundit i ka kërkuar me ngulm që të firmosë një kontratë armatimi, të cilën do t’a fitojnë ose më saktë do t’a marrin në “tavolinë” disa partnerë të kryeministrit, por Vengu ka refuzuar. Deri më tani ai ka vënë “veton” për të mos firmosur, duke qenë se një pjesë e bashkëpunëtorëve të tij, janë nën akuzë nga SPAK-u. Frika e një hetimi të mundshëm dhe ngritja e akuzave ndaj tij e kanë stepur.
Ultimatumi i Ramës është drejt fundit dhe shumë shpejt, nëse nuk firmos, ai pritet që të shkarkohet nga detyra. Por, edhe nëse firmos, ai i ka thënë “burgut hapu”, pasi disa ministra, drejtorë të mëdhenj, kryetarë bashkie apo deputetë brenda mazhorancës, janë në burg, të tjerë të pandehur, disa me masa sigurie e shumë nën hetim.
SPAK-u ka krijuar një listë të gjatë të zyrtarëve që i ka dënuar, janë në proces gjyqësor apo në hetim, teksa nuk mbetet pas edhe Pirro Vengu, i cili deri më tani ka “luajtur në mbrojtje”. Dy paraardhësit e tij, në të njëjtën detyrë, Olta Xhaçka dhe Niko Peleshi janë hetuar, e para për bazat ushtarake që iu janë dhënë privatëve dhe i dyti për flotën e dështuar të avionëve zjarrfikës. Ndërkohë, tryeza e ministrit aktual të Mbrojtjes ka një tjetër prioritet, armatimet!
Politika e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Izraelit apo vetë Europës është përqendruar te shtimi i kapaciteteve të vendeve të NATO-s për t’u mbrojtur. Është kërkuar me ngulm që të shtohen fondet, teksa industria ushtarake shumë shpejt po kthehet në tepër fitimprurëse. Dhe, duke qenë se Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, megjithëse s’kemi as ushtri të mirëfilltë, armatime e gjithçka tjetër, qeveria ka miratuar disa vendime dhe akte normative që të shtohen fondet dhe të investohet.
Por, si në shumë fusha të tjera prioritare, kanë filluar që të “lulëzojnë” firma dhe emra të preferuar. Në qendër të të gjithë skemës në Shqipëri është shoqëria KAYO, e cila u ngrit me shpejtësi për të prodhuar armë, veshmbathje apo edhe mjete ushtarake. Janë lidhur disa “aleanca”, teksa është kërkuar me ngulm që miliona euro të kanalizohen te disa biznesmenë të huaj, tepër të “preferuar” brenda mazhorancës dhe nga vetë kryeministri Edi Rama.
Pikërisht favorizimin e njërit prej tyre, Rama ia ka kërkuar me ngulm Pirro Vengut. Bëhet fjalë për një kontratë të majme armatimi, e cila është e destinuar të shkojë te ky “partner”. Deri më tani, Vengu është “mbrojtur”, por kush e di sesa gjatë?!
Marrëdhënia mes Ramës dhe Vengut është prishur, pavarësisht se të dy, kanë bashkëpunuar shumë gjatë. 39-vjeçari i lindur në Elbasan ka qenë pjesë e mazhorancës që prej vitit 2013, teksa ka mbajtur edhe detyrën e Shefit të Kabinetit në Ministrinë e Jashtme. Më pas, për dy vite, 2017-2019, ai ka qenë në stafin e ngushtë të vetë kryeministrit, duke mbajtur detyrën e drejtorit të Antikorrupsionit, në Kryeministri.
Pas kësaj detyre, në vitin 2019 Vengu u emërua si drejtor i Portit të Durrës, detyrë të cilën e mbajti deri në korrik të vitit 2024, kur u emërua si ministër i Mbrojtjes, detyrë të cilën e mban edhe sot e kësaj dite, por jo për shumë javë! Për shkak të këtyre detyrave, tepër të rëndësishme në Shqipëri, partnerët ndërkombëtarë e kanë pikasur dhe e kanë dokumentuar të gjithë veprimtarinë e tij. Në këto detyrë, 39-vjeçari dyshohet se ka lejuar veprimtari të paligjshme, madje gjatë “mbretërimit” të tij në Portin e Durrësit, ka lulëzuar trafiku i kokainës.
/voxnews


