Ministri Manja u shuan shpresat të dënuarve: Nuk ka amnisti

0
202

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka shuar shpresat për një amnisti të përgjithshme për të dënuarit në fund të këtij viti.

“Nuk do ketë amnisti për të burgosurit” tha ai në një takim me gazetarët.

Deklarata e tij vjen si përgjigje ndaj kërkesës së 200 personave që qëndrojnë në burgun e Shkodrës.

Ndër të tjera në peticion nënvizohet se ata ndihen viktima të sistemit gjyqësor të paaftë e të korruptuar që po vuajnë dënime ekstreme e të pa drejta.

“Kërkojmë të vini dorën në zemër, të bëni akt mirësie ku të jepni një amnisti gjithëpërfshirëse”, thuhet në shkresë ku shtohet se kësaj situate i shtohet edhe dhimbja për të afërmit që ata i kanë humbur për shkak të pandemisë”.

Madje në peticionin e nënshkruar nuk mungojnë as akuzat për lirime apo dhënie të vendime të ulëta kundrejt rryshfetit.

Në fakt vendimi i fundit për amnisti ka qenë i vitit 2019, kur 175 gra të mitur e të moshuar përfituan nga ulja e dënimit.

Megjithatë të dënuarit e Shkodrës pretendojnë për një amnisti të përgjithshme që sipas tyre lind si pasojë e rezultateve të vettingut.

Deri më tani nga lista e gjyqtarëve dhe prokurorëve që kanë kaluar në verifikimin e pasurisë dhe figurës, rreth 60 për qind janë shkarkuar ose kanë dhënë dorëheqjen.