Miratohen kriteret e reja, nga 1 janari policët do të trajtohen edhe me ushqim gjatë orarit të punës; kategoritë që përfitojnë

0
2

Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim të ri që përcakton kriteret e trajtimit me ushqim për punonjësit e Policisë së Shtetit, studentët dhe kursantët e strukturave arsimore.

Vendimi bazohet në ligjin e ri “Për Policinë e Shtetit” dhe hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare”, ndërsa efektet financiare zbatohen nga 1 janari 2026.

Sipas rregullave të reja, punonjësit e policisë përfitojnë trajtim me një vakt drekë kur orari i punës është 8 orë, dhe me tre vakte kur angazhohen në gatishmëri, situata emergjente, zgjedhje apo shërbime me kohë të zgjatur. Po ashtu, me tre vakte ushqim trajtohen edhe punonjësit e Qendrës së Edukimit Fizik dhe Sporteve Elitare.

Studentët dhe kursantët që ndjekin trajnim të detyrueshëm në Akademinë e Sigurisë marrin një vakt drekë për trajnime njëditore, ndërsa për programet shumëditore përfitojnë tre vakte sipas ditëve të qëndrimit.

Tre vakte ushqim pa pagesë u garantohen gjithashtu shtetasve të huaj që hyjnë ilegalisht, shtetasve shqiptarë të kthyer nga jashtë dhe personave të ndaluar ose arrestuar deri në sqarimin e pozitës së tyre.

Në rastet kur ushqimi nuk mund të sigurohet përmes mensave ose shërbimit catering, parashikohet kompensim financiar: 500 lekë për një vakt drekë dhe 900 lekë për tre vakte. Këto shuma do të indeksohen çdo vit sipas inflacionit të INSTAT-it. Financimi mbulohet nga buxheti i Ministrisë së Brendshme.