Misteri i vdekjes së 13 vjeçares shqiptare në Itali, ra nga ballkoni apo e hodhi i dashuri?

0
68

Aurora do të festonte ditëlindjen e saj të 14-të në Nëntor, por fatkeqësisht ëndrrat e saj u prenë në mes. Më 25 Tetor 2024, në policinë e Bolonjas (Itali) u raportua se e mitura ishte hedhur nga ballkoni i ndërtesës ku jetonte.

Banesa në Piacenza ku jetonte Aurora me familjen

Ngjarje tronditëse jo vetëm për familjen e saj, por gjithë komunitetin…13 vjeçarja shqiptare jetonte me të ëmën dhe motrën në Piacenza. Siç këto të fundit e përshkruajnë, ajo nuk kishte shfaqur kurrë asnjë shenjë depresioni, përkundrazi kishte kaq shumë plane për të ardhmen.

Ai që fillimisht u mendua si akt vetëvrasjeje, doli krejt diçka tjetër… Një 15 vjeçar, po me origjinë shqiptare, është vënë në prangat e policisë i dyshuar si autor i vrasjes.

Denoncimi i së ëmës

Po cilat ishin indiciet e policisë dhe prokurorëve që çuan në arrestimin e tij? Mamaja e viktimës kishte denoncuar në polici pak ditë më herët se vajza e saj abuzohej nga i dashuri (15 vjeçari i arrestuar). Ajo e përshkruante si obsesiv dhe xheloz, aq sa e mitura nuk i jepte dot fund marrëdhënies së tyre toksike.
Avokatja e familjes së Aurorës, Lorenca Dordoni, ka thënë për mediat se pavarësisht denoncimit të kryer ditë para ngjarjes tragjike, nuk ishte marrë asnjë masë.

“Vajza shkoi në shkollë me shoqet dhe u kthye rreth orës 20:55. Mamaja e saj ndodhej në shtëpi. Pavarësisht se nuk ka dëshmi dhe ajo nuk e ka parë të dashurin e saj gjëkundi, dyshohet se ai e ka pritur 13 vjeçaren në fund të korridorit ose te shkallët, në një cep që nuk do pikasej nga të tjerët”, ka thënë avokatja për mediat italiane.

Përpos këtij denoncimi, Prokuroria për të Miturit në Bolonja po shqyrton autopsinë e trupit të së miturës.

I dashuri adoleshent në ‘shok’, nuk ka thënë asnjë fjalë…

“Ai nuk ka folur me asnjeri që pas ngjarjes”, kështu shprehen familjarët e tij. Sipas tyre, i mituri është në gjendje dëshpërimi. Gjatë marrjes në pyetje, ai mohoi të kishte lidhje me ngjarjen duke thënë se vajza ishte hedhur vetë nga ballkoni. Ishte 15 vjeçari ai i cili kishte kërkuar ndihmë te fqinjët në momentin e parë dhe kishte telefonuar policinë.

/tvklan.al