‘Miza e Bardhë’ shkakton dëme të mëdha në bujqësinë e fermerëve të Elbasanit

0
2

Miza e bardhë po shkakton dëme kolosale në prodhimet bujqësore dhe në ekonominë e fermerëve në fshatrat Buqë e Jagodinë të Bashkisë Elbasan.

Fermerët shprehen se i gjithë prodhimi i tyre, gati për t’u shitur, është dëmtuar. Nga ana e institucioneve nuk ka pasur asnjë interesim apo masë për të adresuar këtë situatë.

Në zonat bujqësore të Jagodinit dhe Muriqanit, fermerët po përballen me dëmtimin e mbjelljeve nga ky insekt.

Miza e bardhë ka prekur mbi 10 hektarë tokë bujqësore, duke u kthyer në një problem serioz për banorët e zonës.

Produktet më të prekura janë domatet, specat, borziloku, por edhe produkte vreshtare si hurma, rrushi dhe pjeshka.

Fermerët tregojnë se shumë nga produktet janë hedhur ose shkulur për të parandaluar përhapjen e insektit, ndërsa situata mbetet shqetësuese pavarësisht përdorimit të pesticideve.

Çdo ditë miza e bardhë po zgjerohet edhe në serat bujqësore.

Fermerët: “Jemi totalisht të harruar nga shteti. Ilaçet që përdorim janë të skaduara dhe nuk japin rezultat kundrejt këtij insekti.”

Problemi pritet të përhapet edhe në zonat e Sulovës dhe Dumresë, duke kërcënuar falimentimin e shumë fermerëve, të cilët varen nga bujqësia për të mbajtur familjet e tyre.