Mjaltë dhe Rigon – Kura Natyrale për Mbrojtjen e Organizmit

0
102

Studimet kanë konfirmuar se rigoni është një nga bimët më të pasura me antioksidantë, të cilët e mbrojnë organizmin nga shumë sëmundje.

Të dhënat e ekspertëve tregojnë se rigoni përmban nga 3 në 20 herë më shumë antioksidantë se çdo barishte apo erëz tjetër.

Fuqitë antioksiduese të rigonit ia kalojnë atyre të vitaminës E apo edhe frutave, perimeve, frutave të thata dhe hudhrës.

Specifikisht tek rigoni aktiviteti antioksidues është 42 herë më i lartë se ai i mollëve, 30 herë më i lartë se ai i patateve, 12 herë më shumë se portokallet dhe 4 herë më i lartë se boronicat.

Rigoni është një nga erëzat më të përdorura në kuzhinën shqiptare.

Përdorimet e tij shtrihen edhe në aspektin mjekësor falë përmbajtjes së lartë të antioksidantëve.

Në këtë artikull të AgroWeb.org do të mësoni se si të bashkoni në një kurë të vetme rigonin me mjaltin dhe si ta shfrytëzoni atë jo vetëm në gatim por edhe për shëndet të mirë.

Kura Me Mjaltë dhe Rigon 

Merrni një kavanoz qelqi dhe gjysmën e tij mbusheni me rigon të freskët.

Nëse përdorni rigon të thatë atëherë mbushni një të katërtën e kavanozit.

Më pas shtoni mjaltë duke u siguruar që rigoni të jetë plotësisht i mbuluar.

Përziejini së bashku me një lugë druri dhe sigurohuni që në sipërfaqe të mos ketë bulëza ajri.

Mbylleni kavanozin me kapak dhe vendoseni në parvazin e dritares për një muaj.

Herë pas here kthejeni kavanozin përmbys për të siguruar një përzierje të mirë të rigonit dhe mjaltit.

Në fund të muajit, kullojeni mjaltin dhe hidheni në një kavanoz tjetër.

Si Ta Përdorni Kurën e Mjaltit me Rigon

Mjalti do të ketë shijen e rigonit dhe mund të përdoret për gatime të kripura me mish, pulë apo karrota.

Ju mund ta konsumoni këtë kurë çdo ditë për t’i dhënë forcë imunitetit sidomos gjatë stinës së virozave.

Një lugë gjelle me këtë mjaltë është sasia e rekomandueshme.

Këtë sasi mund ta tresni edhe në ujë të ngrohtë dhe ta pini kur keni probleme me stomakun apo dhimbje koke./AgroWeb.org